AKTUALITET /

U gjet i pajetë në një humnerë, Prokuroria e Shkodrës hap hetimet mes dyshimeve për vrasje

Fillimisht policia e kishte cilësuar ngjarjen si një aksident, por pas dyshimeve të ngritura nga familjarët dhe të afërmit për një vrasje të mundshme, prokuroria vendosi të mos e mbyllë çështjen dhe ka hapur hetimet paraprake për veprën penale të “shkaktimit të vetëvrasjes”.

Shkruar nga Versus

U gjet i pajetë në një humnerë, Prokuroria e Shkodrës

Prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimet për vdekjen e Mirel Çokajt, i cili u gjet i pajetë në një humnerë në malet e Kelmendit, në Malësinë e Madhe.

Fillimisht policia e kishte cilësuar ngjarjen si një aksident, por pas dyshimeve të ngritura nga familjarët dhe të afërmit për një vrasje të mundshme, prokuroria vendosi të mos e mbyllë çështjen dhe ka hapur hetimet paraprake për veprën penale të “shkaktimit të vetëvrasjes”.

Dyshimet për një ngjarje të dyshimtë u ngritën nga Rifat Çokaj, i afërm i viktimës që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që më herët ka shërbyer për shumë vite në polici, duke mbajtur edhe detyra të rëndësishme. Pas denoncimit të tij, policia e Malësisë së Madhe kreu veprime shtesë hetimore, duke i dhënë një drejtim të ri çështjes.

Ngjarja ndodhi më 18 shtator, në fshatin Kozhnje, ku u raportua se një person ishte rrëzuar në një humnerë. Trupi i Mirel Çokajt u identifikua nga policia përmes pamjeve me dron, ndërsa nxjerrja e tij u bë të nesërmen me ndihmën e një helikopteri të Forcave të Armatosura.

Familjarët e 40-vjeçarit dyshojnë se ai mund të jetë shtyrë në humnerë pas një konflikti lidhur me një parcelë kanabisi që kishte bashkë me disa ortakë. Sipas tyre, shumë pak kohë para vdekjes, Çokaj kishte qenë në parcelë, e cila ndodhej rreth një orë larg vendit ku u gjet trupi. Ata mendojnë se dikush nga ortakët mund ta ketë eliminuar për të mos i dhënë pjesën e fitimit nga droga.

Policia, pas ngjarjes, gjeti dhe asgjësoi 780 bimë kanabis në parcelën ku viktima dyshohet se punonte, duke konfirmuar se ai ka qenë i përfshirë në ruajtjen e saj. Familjarët ngrejnë gjithashtu dyshime për zhdukjen e telefonit të tij celular, i cili nuk është gjetur ende, si dhe për faktin që Mireli ishte planifikuar të kthehej dy ditë më vonë, por ndryshoi papritur itinerarin.

Në këtë fazë, prokuroria e Shkodrës po merr në pyetje familjarët, të afërmit dhe personat që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes, për të përcaktuar nëse vdekja e Mirel Çokajt ishte aksidentale apo një vrasje e maskuar.

Poll