AKTUALITET /

U masak*ua me thikë në rrugë nga ish bashkëshorti, dalin detaje tronditëse nga vrasja e 45 vjeçares shqiptare: Familja e dinte!

Vëllai i viktimës, Artur Kopili, i cili mbërriti nga Shqipëria, tha se familja kishte dijeni për dhunën, por askush nuk kishte ndërhyrë.

Shkruar nga Versus

U masak*ua me thikë në rrugë nga ish bashkëshorti, dalin

Ngjarja e rëndë që tronditi qytetin italian Tolentino vijon të sjellë në dritë detaje të reja tragjike, ndërsa 45-vjeçarja shqiptare Gentiana Hudhra (Kopili) u vra mizorisht me thikë në një park publik nga ish-bashkëshorti i saj, Nikollaq Hudhra, 55 vjeç. Viktima kishte denoncuar dhunën që kishte përjetuar nga ish-burri që në vitin 2021, por autoritetet italiane kishin mbyllur hetimin vetëm pak muaj më pas, në dhjetor të atij viti. Ndarja e çiftit u formalizua në janar të 2022, pas një martese 20-vjeçare.

Avokati i saj, Guglielmo De Luca, ka zbuluar se Nikollaqi ishte i fiksuar pas idesë se Gentiana po e helmonte, kishte vendosur zinxhir në frigorifer dhe kishte ndryshuar bravën e derës për ta mbajtur larg. E detyronte të flinte në një dhomë të vogël, në divan, edhe pasi ajo ishte kthyer për hir të fëmijëve. Vëllai i viktimës, Artur Kopili, i cili mbërriti nga Shqipëria, tha se familja kishte dijeni për dhunën, por askush nuk kishte ndërhyrë.

Çifti kishte dy djem, Mario dhe Samuel, përkatësisht 21 dhe 23 vjeç, dhe pas ndarjes Nikollaqi ishte zhvendosur në Passignano sul Trasimeno ku punonte në një fermë. Punëdhënësit e tij e përshkruajnë si të përpiktë, por me sjellje të çuditshme kohët e fundit. Vrasja ndodhi mbrëmjen e 14 qershorit rreth orës 20:00, kur Nikollaqi, me monopatinë elektrike, iu afrua ish-bashkëshortes në park dhe e goditi dhjetëra herë me një thikë kuzhine 18 cm të gjatë. Pas krimit, ai u ul në një stol pranë trupit të pajetë dhe u arrestua në vend nga karabinierët.

Në dëshminë e dhënë gjatë natës, ai pranoi krimin dhe zbuloi se kishte tentuar ta vriste edhe dy herë më parë. Aktualisht ndodhet në izolim në burgun Montacuto në Ankona dhe përballet me akuzën e vrasjes me paramendim. Prokurori Enrico Riccioni drejton hetimet, ndërsa autopsia e trupit të Gentianës do të kryhet nga mjeku ligjor Antonio Tombolini për të përcaktuar numrin e plagëve dhe ato që rezultuan fatale. Kjo vrasje ka tronditur jo vetëm komunitetin shqiptar në Itali, por opinionin publik në tërësi, duke rikthyer në vëmendje dështimin e institucioneve për të mbrojtur viktimat e dhunës në familje./Versus.al/

Poll