Katër persona janë shoqëruar nga Policia e Matit në lidhje me vrasjen e të riut Renis Dobra. Trupi i tij u gjet mëngjesin e djeshëm buzë liqenit të Shkopetit, nga një banor i zonës, me mavijosje në zonën e qafës.
Policia ka kryer po ashtu kontrolle në disa servise dhe varreza makinash në zonë, por deri më tani nuk ka pasur rezultate konkrete.
Pamjet e kamerave të sigurisë nuk kanë ndihmuar në identifikimin e drejtuesve të mjeteve apo personave që kanë qenë në vendngjarje, pasi figurat nuk duken qartë. Sipas dëshmisë së kushëririt të viktimës, rrëmbimi i 23-vjeçarit Renis Dobra ka ndodhur rreth dy kilometra larg daljes nga qyteti i Burrelit.
Dy automjete, një “Range Rover” dhe një “Honda Santa Fe”, të përdorura nga autorët, janë përdorur për të kryer rrëmbimin. Ata janë paraqitur si punonjës policie, dhe dy prej tyre kanë hipur në makinën e viktimës, duke krijuar përshtypjen tek i afërmi se Dobra po shoqërohej në komisariat.
Trupi i pajetë i 23-vjeçarit u gjet mëngjesin e ditës tjetër në një humnerë, vetëm 10 metra larg liqenit të Shkopetit. Ekspertiza mjeko-ligjore ka treguar se Dobra është mbytur me litar në një vend tjetër, dhe më pas, gjatë orëve të vona të natës, autorët e kanë shtyrë automjetin e tij në një terren të thepisur, duke futur trupin brenda.
Gjatë rënies së makinës në humnerë, trupi ka dalë jashtë dhe ka mbetur në disa shkurre, pa arritur të përfundojë në ujërat e liqenit, ndërkohë që vetë mjeti është fundosur. Sot, policia arriti të nxjerrë makinën nga uji, por brenda saj nuk u gjetën telefoni i viktimës apo sende të tjera që mund të ndihmonin hetimin.
Hetuesit dyshojnë se vrasja është kryer diku tjetër, përpara se trupi të vendosej në makinë dhe të hidhej në liqen për të fshehur gjurmët. Renis Dobra ishte djali i vetëm në një familje me tre motra, ndërsa babai i tij, Rufat Dobra, ka kërkuar zbardhjen sa më të shpejtë të kësaj ngjarjeje të rëndë nga policia dhe prokuroria e Dibrës.
Renis Dobra rezulton të ketë qenë më herët i arrestuar dhe dënuar disa herë nga autoritetet gjermane për trafikim të lëndëve narkotike – një nga pistat ku po përqendrohen hetimet. Megjithatë, policia po shqyrton edhe pista të tjera, përfshirë konfliktet e mëparshme që viktima mund të ketë pasur me persona të ndryshëm në zonë. Disa prej këtyre individëve janë marrë në pyetje, por janë lënë të lirë.
Po ashtu, nuk përjashtohet mundësia që vrasja të lidhet me përfshirje të viktimës në trafikun e drogës brenda territorit të Shqipërisë. /Versus.al/







