AKTUALITET /

U vra në Tiranë, djali i ish-gjyqtarit ishte konfliktuar për borxhin 15 mijë euro! Prendi: Isha në dijeni, por s’e prisja atentatin

Ish-gjyqtari Fran Prendi ka deklaruar në polici se ishte në dijeni të konflikteve që kishte djali i tij, por u shpreh se nuk priste që t'i bënin atentat.

Shkruar nga Versus
U vra në Tiranë, djali i ish-gjyqtarit ishte konfliktuar për
Viktima Klaudio Prendi dhe babai i tij ish-gjyqtari Fran Prendi

Tiranë- Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja që tronditi zonën e Xhamllikut pak pas mesnatës së mbrëmshme ku u ekzekutua me disa plumba 28 vjeçari Klaudio Prendi, djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi.

Disa ditë më parë, i riu ishte konfliktuar fizikisht me grushte me disa persona me të cilët kishte konflikte. Dyshohet se bëhet fjalë për një borxh 15 mijë eurosh, të cilin viktima ua kishte detyrim personave me të cilët përplas fizikisht.

Vetë ish-gjyqtari Fran Prendi i dorëhequr nga profesioni që në vitin 2020 tha se ishte në dijeni të konfliktit që i biri kishte, por nuk e priste që t’i bëhej atentat.  Ndërkohë, makina tip “G Class” ku viktima po hipte në momentin kur u qëllua me breshëri, rezulton të jetë në pronësi të një vajze.

Ngjarja ndodhi pak pas mesnatës së 18 nëntorit kur Klaudio Prendi i cili para pak kohësh ishte kthyer nga jashtë shtetit, po dilte nga lokali. Në momentin që tentoi të hipte në mjetin e tij, një tjetër automjet tip “Audi” ka kaluar në pozicion paralel dhe ka hapur zjarr me pistoletë silenciator, duke e lënë të plagosur rëndë të riun i cili ndërroi jetë në spital.

Për ngjarjen, polica ka shoqëruar disa persona, por ende nuk ka një të dyshuar konkret. Dyshohet se në atentat kanë marrë pjesë 3 persona, ndërsa mjeti i përdorur u gjet i djegur pranë liqenit të Farkës.

Vrasja e Klaudio Prendit ishte e dyta që tronditi kryeqytetin brenda pak ditësh, duke e bërë kështu të dytën ngjarje të pazbardhur pas asaj ku u vra me një plumb në kokë biznesmeni 52 vjeçar Eduart Reçi. Versus.al

Poll