
Aksionet e kompanisë 4iG kanë humbur mbi 32 për qind të vlerës së tyre brenda një muaji të vetëm, teksa kompania e konsideruar si një biznes vasal i kryeministrit të larguar Viktor Orban mund të përballet me telashe ligjore.
Sipas të dhënave nga bursa hungareze, çmimi i aksioneve të 4iG ra në 2340 forint në mbylljen e bursës të hënë, nga 3400 që ishte një muaj më parë. Kompania ka kohë që humbet vlerë me shpejtësi, teksa sondazhet tregonin një humbje të mundshme të Orban.
Pas verifikimit të kësaj situate aksionet kanë vazhduar rënien për shkak të frikës se kompania mund të jetë subjekt i hetimeve penale për lidhjet korruptive me qeverinë e mëparshme.

Aksionet e 4iG
Në fakt, ashtu si 4iG janë dhe disa kompani të tjera të mëdha hungareze, të cilat janë klasifikuar nga kryeministri i zgjedhur Magyar si grupi NER, një rrjet institucionesh dhe kompanish private, të cilat përbënin kollonën e sistemit korruptiv të ngritur në Hungari, ku përfshihen edhe kompanitë e oligarkut Lőrinc Mészáros.
Kryeministri i zgjedhur Magyar ka deklaruar publikisht se qeveria do të ngrejë një zyrë të posaçme, e cila do të gjurmojë dhe konfiskojë pasuritë e këtyre kompanive. Kjo është dhe arsyeja se pse aksionet e 4iG janë duke rënë në pikiatë dhe krahuasuar me pikun e tyre, në fund të vitit të kaluar, çmimi i tyre ka rënë me më shumë se dy herë.
Por vetë kompania është mbrojtur duke deklaruar publikisht se aktiviteti i saj është ngritur mbi baza të shëndosha dhe kontratat e saj me prodhuesit amerikanë të armëve kryesorë globalisht, siç është Northrop Grumman, ofrojnë një garanci për rritje të mëtejshme.
4iG zotëron kompaninë e telefonisë celulare në Shqipëri, One Telecommunications. Ngjashëm me modelin e biznesit të 4iG edhe ONE ka qenë pjesë e disa skandaleve në Shqipëri për lidhje financiare me politikën, të dëshmuara në disa dosje të SPAK.
Por edhe pse deri më tani, ONE nuk është përballur me ndonjë sanksion ligjor apo penal, pasiguria për fatin e mëmës së saj në Hungary mund të ketë jo pak reperkursione edhe për kompaninë e dyshes oligolipol të celularëve në Shqipëri, më së paku në aspektin financiar.
Gjithmonë nëse qeveria e re në Hungari nuk do të klasifikojë edhe paratë e blerjes se One nga 4iG si të ardhura nga korrupsioni, pasi kjo mund të hapte skenarë të tjerë për të ardhmen e One./Kapitali.al

