
Sot pritet të dalë para gjykatës, Pandeli Nakoleci, 40-vjeçari që vrau me thikë bashkëshorten e tij 36-vjeçare.
Sipas mediave greke, ai pritet të dalë para prokurorit në orën 11:00 paradite, ku do të kërkojë dhe do të marrë afat për të dhënë dëshminë e tij.
Pas vrasjes së 36-vjeçares, autori u fsheh për më shumë se 24 orë, duke tentuar të shmangte arrestimin.
Megjithatë, ai u gjet i fshehur në një parcelë me shkurre rreth 200 metra larg shtëpisë së tij, në një ish-parking.
Dëshmitarë okularë dhe banorë të zonës thanë se gjatë arrestimit ai iu bërtiste policëve duke deklaruar se e vrau gruan sepse e tradhtonte. “Mirë ia bëra. Këtë e meritonte. Nuk pendohem për asgjë”, mendohet të kenë qenë fjalët e para të 40-vjeçarit vrasës.
Me rroba të tjera
40-vjeçari kishte veshur rroba të ndryshme nga ato të momentit të vrasjes, të cilat, sipas gjasave, i kishte gjetur në koshat e mbeturinave. Tek ai nuk u gjet as celular, as thikë. Familja kishte vetëm një telefon, i cili u gjet në banesë.
Mbrëmjen e së premtes (22/8), policia kishte marrë një informacion se në zonë po lëvizte një person që i ngjante autorit të kërkuar, por me veshje të tjera. Për këtë arsye kërkimet u përqendruan në atë pikë. Pas njoftimit të një banori, policia ndërhyri dhe arrestoi 40-vjeçarin.
Autoritetet kishin nisur një operacion të gjerë për kapjen e tij, pasi menjëherë pas sulmit ndaj 36-vjeçares ai ishte larguar me shpejtësi. Sipas policisë, mes çiftit nuk kishte pasur më parë histori dhune në familje, por i arrestuari kishte pasur probleme të mëparshme me policinë.
Nesër, të hënën (25.8.2025), pritet të kryhet autopsia e 36-vjeçares nga Instituti i Mjekësisë Ligjore i Selanikut, ku tashmë është dërguar trupi i saj./Versus.al







