
Ditë më parë një 42 vjeçar maroken vrau veten në një burg të Torinos ku po mbahej rreth një muaj pasi kishte mbërritur aty nga kampi i Gjadrit në Lezhë. Hamid Badui ishte shprehur se më mirë të qëndronte në burg sesa të rikthehej sërish në të njëjtin kamp, duke ngritur dyshimet mbi trajtimin e emigrantëve të paligjshëm që mbahen në strukturën e ngritur në Gjadër të Lezhës.
Për pasojë, ka patur reagime edhe nga organizatat e shoqërisë civile. Të prekur nga ky rast, sot aktivistë shqiptarë dhe të huaj u mblodhën para ambienteve të kampit ku zhvilluan homazhe për të ndjerin dhe protestë simbolike për kushtet në të cilat mbahen emigrantët, të cilat sipas tyre janë “çnjerëzore”.
“Drejtësi për Hamidin” dhe “Liri për emigrantët” ishin disa nga parullat, teksa janë vendosur edhe tufa me lule në hyrje të kampit dhe nga protestuesit mbahej në dorë gjithashtu një banderolë. Versus.al







