Policia e Kosovës ka dhënë detaje për gjetjen e sekuestrimin një laborator të drogës të zbuluar në Prishtinë, në të cilin dyshohet se janë përpunuar kokainë dhe heroinë.
Sipas Policisë, pas një pune hetimore rreth dhjetë mujore dhe aplikimit të masave të veçanta nga hetuesit e antidrogës, me datë 21.09.2024 në rrugën “Hyzri Talla” në Prishtinë, në podrumin e një banese është gjetur substancë e dyshuar narkotike në gjendje të lëngshme në enë plastike, e cila ishte në proces të terjes – ngurtësimit dhe mjete të punës të cilat janë përdorur për përpunimin e substancave narkotike.
“Dyshohet që ky “Laborator” për përpunimin e substancave narkotike të llojit Heroinë dhe Kokainë është përdorur nga të dyshuarit për një periudhë të kohore, ku pas përpunimit të substancave të njëjtat i paketojnë në doza të vogla për shitje në rajone të ndryshme të vendit” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia ka kërkuar nga qytetarët që në të mirën e përgjitshme, për çfarëdo informate të rëndësishme që posedojnë të ndihmojmë Policinë e Kosovës dhe të ofrojnë bashkëpunim.
Përmes një postimi në Facebook, Minsitri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se ky është laboratori i 19-të i drogës që shkatërrohet në Kosovë, në tre vitet e fundit.







