
Të paktën tre të rinj kanë vdekur paraditen e sotme në Ercolano, Napoli pasi një fabrikë ku prodhoheshin fishekzjarre ka shpërthyer.
Banorët raportuan për një zhurmë të fortë, e cila u dëgjua qartë në të gjitha bashkinë e zonës rrëzë Vezuvit.
Karabinierët e repartit Ercolano dhe zjarrfikësit kanë ndërhyrë në vendngjarje.
Për disa orë rresht nuk dihej sa viktima ishin, ndërsa në orët e pasdites është mësuar se brenda në fabrikë ndodheshin tre të rinj, njëri prej tyre ishte shqiptar.
Sipas informacioneve, viktima të shpërthimit të tmerrshëm janë një djalë 18-vjeçar shqiptar dhe dy vajza 26-vjeçare nga zona napolitane.
Aksidenti ka ndodhur në orët e para të pasdites, kur të tre, në ditën e tyre të parë të punës, ndodheshin brenda magazinës e cila ishte e hapur gjatë fundjavës për shkak të pushimeve.
‘Na telefonuan duke na thënë se kishte shpërthyer fabrika e fishekzjarrëve ku qëndronin dhëndri dhe dy vajzat’, tha zonja Anna Campagna.
Sipas dëshmitarëve, tre të rinjtë ishin në pushimin e drekës në momentin e shpërthimit. ‘Na telefonoi dhëndri në orën 13:00, duke na thënë se po hante një sanduiç me dy vajzat dhe se nuk kishte njerëz të tjerë me to’, shtoi zonja. - Ishte dita e parë e punës për të tre. Nuk e di kush e drejton vendin, e di vetëm se këtë mëngjes ai shkoi ta merrte jashtë një lokali për ta çuar në punë’.
Aktualisht autoritetet janë të angazhuara në një hetim për të kuptuar shkaqet e shpërthimit dhe për të përcaktuar përgjegjësinë.







