AKTUALITET /

Vlorë, Këshilli Bashkiak “bekon” kalimin e pronës publike te ndërtuesi Moisi Lazaj

Reagimet e përfaqësuesve vendorë, përfshirë kryetarin e bashkisë, u justifikuan me “teorinë e zhvillimit të qytetit”, ndërkohë që, sipas burimeve, pritet që SPAK të nisë një hetim të thelluar jo vetëm për këtë skemë, por edhe për procesin e pajisjes me leje ndërtimi.

Shkruar nga Versus

Vlorë, Këshilli Bashkiak “bekon” kalimin e pronës

Ajo që pak ditë më parë u paralajmërua si përpjekje për t’i dhuruar një pronë publike ndërtuesit Moisi Lazaj, është bërë tashmë realitet.

Më shqetësuese është se disa këshilltarë të djathtë, të cilët në fillim ngritën zërin kundër vendimit, këtë herë jo vetëm që nuk kundërshtuan, por dhanë votën pro, duke mbuluar mungesën e shumë këshilltarëve të majtë në sallë.

Vendimi skandaloz u fut në rend dite së bashku me dy prona të tjera në qendër të Vlorës, që u paraqitën si hapësira publike, ndërsa prona që do t’i kalojë ndërtuesit u përfshi me një klauzolë të dyshimtë, duke e fshehur qëllimin real.

Këshilltarët Klodian Xhyheri dhe Myzafer Elezi kërkuan garanci se edhe kjo pronë do të kthehej në lulishte, por drejtori juridik Dorian Demiri pranoi se dy pronat e para ishin për "mbulim" të së tretës, që parashikohet t’i jepet Lazajt.

Kur nisën debatet, kryetarja e këshillit Bashkiak e hodhi menjëherë çështjen në votim, pa lejuar këshilltarët e tjerë të flasin.

Vendimi kaloi me 29 vota pro. Këshilltari Myzafer Elezi deklaroi se për këtë rast ekziston edhe një kallëzim penal dhe dokumentacion shtesë, por, sipas tij, "urdhri" kishte peshë më të madhe.

Situata bëhet edhe më ironike, pasi vetëm një ditë para votimit, shteti kishte vendosur masë ndëshkuese ndaj të njëjtit ndërtues për ndërtime pa leje në të njëjtën pronë – përfshirë shembjen e objektit dhe gjobë të lartë nga IKMT.

Megjithatë, këshilli Bashkiak e kundërshtoi hapur qëndrimin e strukturave shtetërore dhe nisi procesin për t’ia falur tokën ndërtuesit.

Reagimet e përfaqësuesve vendorë, përfshirë kryetarin e bashkisë, u justifikuan me “teorinë e zhvillimit të qytetit”, ndërkohë që, sipas burimeve, pritet që SPAK të nisë një hetim të thelluar jo vetëm për këtë skemë, por edhe për procesin e pajisjes me leje ndërtimi.

Brenda kësaj lejeje rezulton një sipërfaqe që figuron si pronë shtetërore në Kadastër, por është paraqitur si private në aplikim.

Poll