AKTUALITET /

Vrasja dhe zhdukja e Jan Prengës, SPAK letërporosi për përgjime të tjera në SkyEcc: Ka persona të tjerë të përfshirë

GJKKO kërkoi të pyesë me video-konferencë Astrit Prengën dhe Gëzim Shullanin që banojnë në Britaninë e Madhe.

Shkruar nga Versus
Vrasja dhe zhdukja e Jan Prengës, SPAK letërporosi për
Fotomontazh: Viktima, Jan Prenga, i pandehur Dritan Rexhepi, kopshtari i 'Golden' Festim Bexhdili i dënuar me burg përjetë dhe pronari Altin Hajri (në kërkim)

Gjykata e Posaçme shtyu për në datën 20 qershor në orën 10:00 seancën e radhës ndaj të pandehurve të akuzuar për vrasjen e zhdukjen e Jan Prengës në janar të vitit 2020.

Gjatë seancës, organi i akuzës (SPAK) pretendoi se ka dërguar disa letërporosi të tjera në shtete të BE për të marrë biseda të tjera të zbardhura nga përgjimet në SkyEcc ku sipas tyre provohet përfshirja e personave të tjerë në këtë krim të rëndë.

Pjesë nga diskutimet në seancë:

Prokurorja Elida Kaçkini: Për momentin kemi vetëm këto prova e fakte të mbledhura dhe komunikimet në Sky Ecc.

Avokatja Joana Qeleshi: A janë të plota komunikimet në Sky apo janë të pjesshme, duhet ta dimë. Këtë duam të dimë. Keni dy procedime që thoni që janë marrë.

Prokurorja Kaçkini: janë akte që janë marrë në procedime të tjera. Komunikimet janë edhe këto komunikime elektronike. Nuk janë të gjitha por janë vetëm komunikime që i përkasin çështjes.

Prokurori Behar Dibra: Janë të plota për këtë çështje dhe nuk kemi për të sjellë të tjera. Në kuadër të kësaj procedure kemi dërguar një tjetër letër porosi, për të pandehur të tjerë, do i marrim dhe do jua vendosim në dispozicion.

Gjykata kërkoi dëshminë me video-konferencë të Astrit Prengës dhe Gëzim Shullanit të cilët jetojnë në Britaninë e Madhe dhe u tërhoqi vëmendjen prokurorëve të SPAK që të specifikojnë adresat e sakta të banimit të tyre, jo thjesht ‘Londër’.

Përveçse shtyrjes së seancës, u pezulluan edhe afatet e paraburgimit për të arrestuarit. Deri më tani për ngjarjen është dënuar me burgim të përjetshëm vetëm kopshtari i kompleksit “Golden’ në Shijak, Festim Bexhdili, ndërsa është në gjykim në mungesë pronari Altin Hajri dhe Dritan Rexhepi ‘mbreti i kokainës’ i cili u ekstradua nga Turqia vitin e kaluar nën dyshimin se ka porositur vrasjen e Jan Prengës pas një konflikti mes tyre për humbjen e një sasie kokaine. Versus.al

Poll