
Ditën e sotme u mbajt seanca e radhës për dosjen e vrasjes dhe zhdukjes së Jan Prengës, ngjarje e ndodhur më 17 janar të 2020-ës në kompleksin “Golden” të Altin Hajrit në Shijak.
Teksa bëhet fjalë për fashikullin e parë të dosjes dhe gjyqin ndaj Festim Bexhdillit, kopshtarit të “Golden” të dënuar me burg të përjetshëm, u vendos shtyrja e seancës më 13 maj pasi avokati kërkoi kohë të njihet me aktet hetimore edhe pse ankimuoi në Apel dënimin e klientit të tij.
Ndërsa prokurorja e SPAK, Elida Kaçkini depozitoi prova të reja në bazë të të cilave provohet njohja e Dritan Rexhepit me Altin Hajrin dhe Gentian Funiqin, madje dosja përmban komunikimet e tyre në “Sky Ecc” të zbardhura nga autoritetet franceze.
“Kemi një kërkesë tjetër duke qenë se në kuadër të procedimit penal 62/3, 2022 janë kthyer përgjigje dhe janë dërguar letër-porosi. Konkretisht komunikimet SKY mes të pandehurve, proces që po ndiqet edhe në GJKKO. Janë në interes të këtij procesi, referuar edhe vendimit të Gjykatës së Lartë për rikthimin e çështjes këtu. Është kryer procesverbali i identifikimit të PIN të Dritan Rexhepit, Gentjan Funiqit, Altin Hajrit. Komunikimet lidhen me ngjarjen për të cilën akuzohet dhe Festim Bexhili. Ne vlerësojmë se këto komunikime janë në interes të këtij procesi. Jane marrë akte, 75/2022 është marrë praktika përkatesë për ndihmë juridike autoriteteve franceze”, tha përfaqësuesja e akuzës.
Më tej ajo shpjegoi se janë kryer edhe veprime për të pandehurit e tjerë të çështjes.
“Për Dritan Rexhepin është marrë dhe letër-porosia, edhe për të pandehurin Altin Hajri, i bashkëpandehur në një gjykim në GJKKO. Dhe njëkohesisht është marrë edhe praktika që është derguar nga autoritetet franceze, që tregon mënyrën se si janë marrë komunikimet sky dhe janë bërë pjesë e procesit. Pra mënyra e nderhyrjes për marrjen e komunikimeve. Janë komunikime që janë marrë konform rregullave. Aktet i kemi të listuara, informacion shtesë mbi hetimet e kryeta për rrëmbimin me pasojë vdekjen e Jan Prengës në 17 janar 2020, Kamëz. Komunikime Sky Ecc mes Dritan Rexhepit dhe të tjerëve për rrëmbimin e këtij shtetasi. Komunikimet e Altin Hajrit, Gentjan Funiqi dhe shkresa që janë dërguar nga Ministria e Drejtësisë për marrjen e akteve”, vijoi më tej prokurorja.
Festim Bixhdili është i vetmi i dënuar deri më tani për ngjarjen e rëndë, por kopshtari ka refuzuar të tregojë se ku është dërguar trupi i Jan Prengës. Avokati Ilir Murati tha se provat nuk duheshin pranuar.
“Kërkohet riçelje tjetër me sa kuptuam për të paraqitur prova të reja. Në bindjen time, nuk duhet të pranohen provat. Nëse ka mundësi Prokuroria të na thotë do ketë prova të tjera seancën e radhës apo jo”, u shpreh ai.
Prokurori Behar Dibra u përgjigj se “kjo është kërkesë vazhduese”.
Gjykata pranoi kërkesën e avokatëve për t’u njohur me aktet e Prokurorisë së Posaçme dhe seanca e radhës u la më 13 maj, ora 09:00.
Në seancën e kaluar, Dritan Rexhepi mohoi çdo akuzë lidhur me ngjarjen duke pretenduar se nuk kishte sesi të bënte lëvizje për shkak se asokohe ndodhej i arrestuar në një burg të Ekuadorit. Ai mohoi ta njihte Altin Hajrin duke thënë se nuk kishte komunikuar kurrë me të. Versus.al








