Shtatë vite më parë, në pyjet e qeta të Voskopojës, u gjet pa jetë 18-vjeçari Antonio Karafili.
Kuja e nënës që i preu çarçafin nga fyti të birit dhe i zbriti trupin pa jetë në tokë, tundi fshatin...
Ngjarja u cilësua fillimisht si vetëvrasje, por dyshimet nuk u shuan kurrë. Mimoza Karafili, nëna e të ndjerit, kurrë nuk e besoi këtë version. Për të, dhimbja nuk ishte e vetmja që e shoqëronte çdo ditë, por edhe bindja e fortë se djali i saj ishte vrarë. E me këtë bindje, ajo i binte çdo dere për rihapur çështjen e të birit. Kur humbte besimin tek drejtësia, nëna e veshur kokë e këmbë me të zeza i drejtohej medias dhe në kohë e vite të ndryshme historia e të birit rikthehej në vëmendjen e publikut nëpërmjet emisionit investigativ "Stop".
"Im bir më del në ëndërr e më thotë, fol me Kejsin, ajo i di të gjitha..." - thotë nënëzeza në një prej këtyre emisioneve, ku 17 vjeçarja dëgjohet duke i thënë që "me siguri e kanë vrarë në vend tjetër dhe pastaj e kanë varur në pemë..."
Skenar aspak perfekt.
Protagonistë dyshohet se ka qenë vetë 17 vjeçarja Kejsi Spahillari dhe një 65-vjeçar nga Fushë-Kruja i quajtur Shpëtim Vathi, që mbante koshere me bletë në zonën e Voskopojës.
A kishte një histori rozë mes burrit që Keisit i kërkonte "t'i hapte zemren për çdo gjë, si babait të saj për çdo gjë që do të deklaronte në polici apo ta njoftonte nëse e thërrisnin grupi hetimor", siç dëgjohet në një audio-rregjistrim...Kjo pyetje mbase do të marrë përgjigje kur të sillet me pranga në Shqipëri, e dyshuara Spahillari, e cila sot është 24 vjeçare. Rexhep Vathi, të vërtetën e tij e mori me vete, ditën që vendosi t'i jepte fund jetës, ironikisht, duke u vetëvarur, siç dyshohet se kishin kurdisur me Kejsin 'vetëvrasjen' Antonio Karafilit.
Vrasja
Në 14 qershor 2018, trupi i Antonios u gjet i varur në një pemë, në një degë pishe vetëm 1.48 metra nga toka – ndërkohë që ai ishte 1.80 metra i gjatë. Ky detaj, që fillimisht mund të ishte neglizhuar, për nënën e tij ishte krisma e parë e një të vërtete më të rëndë. Ajo kërkoi që rasti të rihapej dhe të hetohej nga e para. Kërkoi drejtësi, jo hakmarrje. Kërkoi të dinte si ishte shuar biri i saj.
Sipas versionit të dhënë në atë kohë, e dashura e tij, Kejsi Spahillari – atëherë vetëm 17 vjeçe – kishte qenë e fundit që e kishte parë të gjallë. Ajo deklaroi se ishte takuar me Antonion për të sqaruar një debat dhe se ai kishte reaguar me xhelozi, për shkak të dyshimeve për një lidhje tjetër. Rreth orës 20:00, sipas saj, ishin ndarë. Më pas, ajo kishte lajmëruar prindërit e Antonios pasi mësoi për ngjarjen e rëndë.
Por pas insistimit të vazhdueshëm të familjes Karafili, Prokuroria e Korçës hapi një hetim të ri. Ky hetim solli në dritë një të vërtetë tronditëse: Antonio nuk kishte zgjedhur të largohej nga kjo jetë. Ai ishte vrarë mizorisht.
Sipas provave të mbledhura së fundmi, Kejsi Spahillari dhe burri me të cilin ajo dyshohet se kishte patur një lidhje paralele, Rexhep Vathi, dyshohet se e mbytën Antonion me çarçaf dhe më pas e varën në pemë për të inskenuar një vetëvrasje. Pak pas krimit, Spahillari emigroi në Kanada, ku edhe ka krijuar familje. Ndërsa Vathi, në gusht të vitit 2024, i dha fund jetës së tij.
Tani, pas vite pritjeje, lotësh dhe lufte të familjes Karafili për të zbardhur të vërtetën, Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg në mungesë” për Kejsi Spahillarin, nën akuzën e vrasjes me dashje, kryer në bashkëpunim. Prokuroria pritet të kërkojë lëshimin e një urdhër-arresti ndërkombëtar për ta ekstraduar nga Kanadaja.
Historia tragjike e Antonio Karafilit, erdhi në këtë fund vetëm falë këmbënguljes së prindërve, si një dëshmi se dhimbja e gjakut të humbur mund të sfidojë kohën, sistemin dhe harresën.
Sidoqoftë, drejtësia e vonuar ende nuk e ka thënë fjalën e fundit... Versus.al








