
Dëshmia e gruas së biznesmenit Bujar Nasufi ka hedhur dritë mbi pista të reja hetimi, ndërsa policia po shqyrton mundësinë që vrasja të jetë rezultat i një konflikti të vjetër, të lidhur me çështje pronësie.
Sipas saj, burri i saj mund të jetë përfshirë indirekt në një mosmarrëveshje të trashëguar në familje, që kishte nisur vite më parë mes vjehrrit të saj, Jonuz Nasufi, dhe një shtetasi të identifikuar si Petrit Xhani. Shkaku i përplasjes ishte një banesë në zonën e Selitës, e cila më vonë u shkatërrua për shkak të projektit të Unazës së Madhe.
Në dëshminë e saj, ajo tregon se edhe pse shtëpia ishte shitur dhe kompensimi për të ishte dhënë nga vjehrri i saj, pagesa për tokën nuk ishte kryer. Bëhej fjalë për një shumë rreth 40 milionë lekësh, që më pas u kthye në burim tensioni mes dy familjeve.
Përplasjet, sipas saj, nuk kishin mbetur vetëm në nivel verbal. Në një moment, konflikti u thellua dhe përfshiu edhe Bujar Nasufin dhe djemtë e familjes Xhani, duke kaluar deri në përballje fizike. Megjithatë, ngjarja nuk ishte denoncuar në polici, me arsyetimin se nuk do të përshkallëzohej më tej.
“Në atë kohë pati një debat të ashpër mes burrit tim dhe familjes Xhani, konkretisht me Petritin dhe djalin e tij, Jugertin. Por ne vendosëm të mos e raportojmë incidentin në polici,” ka deklaruar ajo në hetuesi.
Sot, vëllezërit Voltan dhe Jugert Xhani janë të arrestuar në kuadër të operacionit “Enigma” të zhvilluar në Durrës. Burime hetimore i konsiderojnë ata si të përfshirë në atentatin ndaj Bujar Nasufit, të ndodhur më 12 janar 2025 pranë zonës “Pallati me Shigjeta” në Tiranë.
Një provë e rëndësishme që mund të lidhë të arrestuarit me ngjarjen është një dorezë e djegur pjesërisht, e gjetur në vendin e krimit. Ekspertët kanë arritur të nxjerrin një profil ADN nga materiali biologjik i gjetur në të, i cili tashmë është në proces krahasimi me profilin gjenetik të dy vëllezërve të arrestuar, përmes ADN-së së nënës së tyre.
Pista kryesore e hetimeve mbetet përplasja për pronën e mëparshme, që duket se ka ndezur një konflikt të gjatë, i cili, sipas hetuesve, mund të ketë kulmuar me aktin tragjik të vrasjes së biznesmenit./ Versus.al







