AKTUALITET /

Vrasja e ish-kryekomisarit Artan Cuku, Prokuroria mbyll hetimet: Kërkohet burgim i përjetshëm për dy autorët

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për vrasjen e ish-kryekomisarit Artan Cuku, ngjarje që tronditi vendin në prill të vitit 2017.

Shkruar nga Versus
Vrasja e ish-kryekomisarit Artan Cuku, Prokuroria mbyll hetimet: Kërkohet
Autori Bledar Jambelli dhe viktima, Artan Cuku

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për vrasjen e ish-kryekomisarit Artan Cuku, ngjarje që tronditi vendin në prill të vitit 2017. Organi i akuzës ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për dy të pandehurit: Bledar Jambelli dhe Kristaq Leçi, të cilët akuzohen si autorë të ekzekutimit të bujshëm.

Sipas dosjes hetimore, dy të dyshuarit kanë bashkëpunuar për të realizuar atentatin ndaj Cukut në hyrje të pallatit ku banonte në zonën e “Vasil Shantos” në Tiranë. Prokuroria pretendon se vrasja ishte e porositur dhe e mirorganizuar, ndërsa motivet lidhen me konfliktet e së kaluarës gjatë detyrës së viktimës si drejtues i lartë në Policinë e Shtetit.

Artan Cuku ishte një nga figurat më të njohura në strukturat e sigurisë dhe kishte mbajtur disa pozicione kyçe në Policinë e Shtetit.

Ngjarja tronditëse ndodhi në prill të vitit 2017 në Tiranë, ku Cuku u ekzekutua me disa plumba në hyrje të banesës së tij. Hetimet zbuluan se vrasja ishte e paramenduar dhe me motiv hakmarrjeje, pasi Bledar Jambelli e kishte pasur Cukun drejtues policie në Vlorë, kur ky i fundit e kishte hetuar për një vrasje të dyfishtë. Edhe pse më vonë u shpall i pafajshëm nga gjykata, Jambelli kishte vendosur të merrte hak.

Për realizimin e krimit, B.J. bashkëpunoi me Kritaq Leçi i cili organizoi ndjekjen dhe sigurimin e armëve për vrasësin me pagesë, M.Sh., një i afërm i tij. Ky i fundit kreu ekzekutimin në këmbim të 20 mijë eurove dhe një premtimi për ta ndihmuar të ikte në Gjermani.

Pas arrestimit të shpejtë, M.Sh. pranoi fajin, bashkëpunoi me drejtësinë dhe u dënua me 10 vite burg në këmbim të pendesës së treguar dhe dëshmisë së dhënë, duke ndihmuar në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Prokuroria deklaron se motivet e krimit ishin të qarta: hakmarrje personale, përfitim financiar dhe ndihmë ndaj të afërmve, ndërsa kërkesa për dënim maksimal synon të vendosë një precedent të qartë ndaj atentateve të mirëorganizuara ndaj zyrtarëve të shtetit.

Njoftimi i Prokurorisë: 

Prokuroria Tiranë kërkon burgim të përjetshëm për shtetasit B.J. dhe G.K. për vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, A.C

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkon burgim të përjetshëm për shtetasit B.J. alias B.M. dhe K.L. alias G.K. për veprat penale ‘Vrasje e punonjësve të policisë së shtetit’ dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit’ parashikuar nga anent 79/b dhe 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.

Nga hetimet e procedimit penal nr.139/2017, rezultoi se i pandehuri B.J. një person me rrezikshmëri të madhe shoqërore dhe në ndjekje nga organet hetimore dhe policore prej viteve 2000, në vitin 2012 u hetua nga Shërbimet e Policisë në Drejtorinë Vendore Policisë Vlorë për ngjarje të rënda kriminale konkretisht vrasjes së shtetasve Sh.M. dhe E. Sh. dhe falë punës hetimore në kohën që kjo Drejtori drejtohej nga i ndjeri A.C., u arrestua dhe hetua për këto fakte penale të rënda të citura më sipër, por më pas gjatë procesit gjyqësor doli i pafajshëm dhe u lirua.

Pikërisht për këtë shkak, në vitin 2017 shtetasi B.J. në shenjë hakmarrjeje përgatiti vrasjen e ish-Drejtorit Policisë Vlorë. Për realizuar këtë qëllim, ai lidhi marrëveshje me shtetasin K. L. dhe për të realizuar vrasjen takoi edhe shtetasin M. Sh., të cilit iu premtua pagesë reth 20.000 euro dhe se do ta merrte në Gjermani pasi të kryente vrasjen, duke e bindur të kryejë krimin. Shtetasi K.L. e pajisi shtetasin M.Sh., me 2 armë të llojit pistoletë, njëra tipit Zastava dhe tjetra Clock me silenciator, ndërsa vetë u vendos në ndjekje viktimës nga larg duke marrë vëzhgim.

Shtetasi M.Sh e gjuajti të paktën 8 herë viktimën duke lënë në vendngjarje pa shenja jete. Ky shtetas u ndalua menjëherë dhe pas arrestimit nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me drejtësinë. I pandehuri M.Sh. u dënua me dhjetë vjet burgim pasi pranoi akuzën dhe faktin penal, bashkëpunoi me drejtësinë dhe u pendua për krimin e kryer duke i kërkuar ndjesë familjarëve të viktimës.

Nga hetimet rezultoi provuar tej çdo dyshim arsyeshëm se vrasja u krye me dashje në formën e paramendimit e shtyrë nga motive hakmarrje dhe për motive përfitimi të dy bashkëpunëtorëve të tjerë. Këta tre persona bashkëpunuan në drejtimin e B.J. për vrarë A. C. si qëllim final, të shtyrë nga motive ndryshme. Organizuesi këtij bashkëpunimi ka pasur qëllim hakmarrje, ndërsa ndihmësi ka pasur qëllimin për ndihmuar shokun e tij dhe njëkohësisht djalin e hallës M. Sh. për të përfituar holla dhe e ndihmoi në kryerjen vepres penale, ndërsa M. Sh. kishte interesin përfitimit material në këtë bashkëpunim dhe për pasojë të tre kryen vrasjen e ish drejtorit të Policisë Vlorë.

Për këtë arsye Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm kërkoi:

Deklarimin fajtor të të pandehurit B. J. për vepren penale “ Vrajse e punonjëseve të policisë shtetit” parashikuar nga nenet 79/b dhe 25 K.Penal dhe dënimin e tij burgim përjetëshëm; dhe

Deklarimin fajtor të të pandehurit K.L. për vepren penale “Vrajse e punonjësve të policisë shtetit” parashikuar nga nenet 79/b dhe 25 K.Penal dhe dënimin e tij burgim përjetëshëm. Versus.al

Poll