AKTUALITET /

Vrasja e Santiago Malkos/ Debate në seancën në GJKKO, avokatja e Leonard Dukës: Duam shpjegime për Sky Ecc

Sipas saj, duhet verifikuar nëse kodi i Sky ECC që i atribuohet Leonard Dukës, është përdorur ekskluzivisht prej tij apo edhe nga persona të tjerë. Ajo kërkoi thirrjen në gjykatë të disa personave, përfshirë babain e Dukës, Muhamed Duka, si dhe personazhe të tjerë të njohur si Erlis Duka, Ervis Martinaj, për të dhënë dëshmi lidhur me ngjarjen.

Shkruar nga Versus

Vrasja e Santiago Malkos/ Debate në seancën në GJKKO, avokatja e

Ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) po zhvillohet seanca gjyqësore ndaj Leonard Dukës, i akuzuar për vrasjen e ish-policit Santiago Malko.

Avokatja e Dukës ka ngritur një sërë pikëpyetjesh lidhur me mënyrën e trajtimit të dëshmisë së Blendi Tetës, një nga dëshmitarët kyç në proces. Sipas saj, prokurori e ka marrë Tetën në një seancë tjetër dhe i ka kërkuar të mos deklarojë para gjykatës, çka ajo e konsideroi shkelje të ligjit. Ajo kërkoi verifikim të shoqërimit të dëshmitarit dhe thirrjen e punonjësve të policisë për të sqaruar se kush dha urdhërin për zhvendosjen e tij.

Gjithashtu, avokatja kërkoi transparencë mbi përdorimin e aplikacionit të komunikimit të enkriptuar Sky ECC, duke ngritur dyshime mbi saktësinë e identifikimit të përdoruesve. Sipas saj, duhet verifikuar nëse kodi i Sky ECC që i atribuohet Leonard Dukës, është përdorur ekskluzivisht prej tij apo edhe nga persona të tjerë. Ajo kërkoi thirrjen në gjykatë të disa personave, përfshirë babain e Dukës, Muhamed Duka, si dhe personazhe të tjerë të njohur si Erlis Duka, Ervis Martinaj, për të dhënë dëshmi lidhur me ngjarjen.

Prokurori: Pretendimet janë të pabazuara

Nga ana tjetër, prokurori i çështjes, Behar Dibra, i quajti të pabazuara kërkesat e mbrojtjes, duke theksuar se nuk ka pasur shkelje ligjore në kontaktimin me dëshmitarin Blendi Teta. Ai sqaroi se mënyra e identifikimit të përdoruesve të Sky ECC bazohet te veprimet e policisë gjyqësore, pasi nuk ekziston një metodë alternative për verifikim.

Në lidhje me kërkesën për thirrjen e dëshmitarëve të tjerë, prokurori tha se disa prej tyre janë të pandehur në këtë proces, ndërsa për të tjerë, si në rastin e Ervis Martinajt, vendndodhja mbetet e panjohur që prej zhdukjes së tij më 8 gusht 2022.

Vendimi i GJKKO

Gjykata rrëzoi kërkesën për thirrjen e punonjësve të policisë, duke konstatuar se çështja është sqaruar në sallë nga prokurori dhe i pandehuri. Po ashtu, për letër-porositë mbi Sky ECC, gjykata theksoi se aktet përkatëse janë marrë në kuadër të një procedimi tjetër.

Kujtesë për ngjarjen: Vrasja e Santiago Malkos

Leonard Duka u arrestua më 14 shkurt 2023 në Belgjikë dhe u ekstradua në Shqipëri. Ai po gjykohet si pjesë e një grupi kriminal të dyshuar për organizimin e vrasjes së Santiago Malkos, një ish-polic dhe bashkëpunëtor i ngushtë i shumëpërfolurit Ervis Martinaj.

Malko u ekzekutua më 27 gusht 2019 në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë, brenda makinës së tij BMW X5. Për këtë krim, prokuroria ka ngritur akuza ndaj 8 personave: Leonard Duka, Erlis Duka, Ilir Selmani, Ervis Metani, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica, të cilët dyshohet se vepronin si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. /Versus.al/

Poll