
Autori i vrasjes së Jani Aliaj në burgun e Korydallos, ka dhënë dëshminë e tij të parë para grupit hetimor.
28-vjeçari grek, pretendoi para hetuesve se vrasjen e shqiptarit e kreu për vetëmbrojtje.
“Nëse nuk e vrisja unë, do të më vriste ai”, deklaroi gjatë dëshmisë së tij, duke shtuar se viktima ishte ai që ishte paguar për vrasjen e tij, për shkak të një vrasjeje të ndodhur disa muaj më parë në zonën e Agios Panteleimonas.
Jani Aliaj kishte marrë 23 plagë me thikë, kryesisht në fytyrë dhe në kraharor, fakt që ka tronditur edhe ekspertët mjeko-ligjorë. Gjatë përplasjes u plagos edhe një i burgosur tjetër, i cili kishte ndërhyrë për t’i ndarë.
Autori 28-vjeçar rezulton me precedentë të rëndë penalë, i akuzuar për dy vrasje.
Pas dhënies së dëshmisë, ai është rikthyer në qeli dhe pritet të përballet me gjykimin, teksa rrezikon dënime që shkojnë deri në burgim të përjetshëm.
Autoritetet greke raportuan se as viktima dhe as autori nuk kishin dhënë më parë shenja konflikti apo kishin shprehur frikë për jetën e tyre.
Aliaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia shqiptare për vrasjen e Elton Çiços, krim i ndodhur më 1 maj 2016 në zonën e ish-Bllokut, në Tiranë.
Shteti shqiptar kishte nisur procedurën e ekstradimit të tij drejt Shqipërisë për të vuajtur dënimin e përjetshëm për vrasjen e Elton Çiços.

