AKTUALITET /

Vrasja e ish-policit, e ëma: Autori të dënohet me vdekje! Duka:S'ka prova ndaj meje! SPAK kërkon 32 vite burg

Shkruar nga Versus
Vrasja e ish-policit, e ëma: Autori të dënohet me vdekje!
Viktima Santiago Malko, Leonard Duka i akuzuar si porositës i krimit

Në Gjykatën e Posaçme u zhvillua sot procesi gjyqësor në ngarkim të Leonard Dukës i cili akuzohet për vrasjen e ish-policit Santiago Malko në 2019-ën, njërit prej njerëzve të grupit të biznesmenit të zhdukur Ervis Martinaj.

SPAK ka kërkuar dënim me 32 vite burg për Dukën i cili akuzohet gjithashtu si kreu i një grupi kriminal të përfshirë në disa ngjarje të lidhura me Ervis Martinajn.

Gjatë seancës pati edhe debate në sallë. E ëma e viktimës në gjendje të rënduar emicionale kërkoi që Duka të dënohet me vdekje.

“Më ka vrarë djalin, nuk dua burgim të përjetshëm, por dënim me vdekje”- mësohet të jetë shprehur ajo në seancë.

Nga ana tjetër Leonard Duka ka kërkuar që të shpallet i pafajshëm duke pretenduar se nuk ka asnjë provë të SPAK në ngarkim të tij që të provojë se vrasja e Santiago Malkos ishte e porositur prej tij. 

Leonard Duka: Deklaroj që jam i pafajshëm dhe Prokurori nuk ka asnjë fakt kundër meje. Kjo është e montuar nga policia që të më dëmtojnë mua. Kam besim te drejtësia.

Avokatja e tij Melina Gjeta tha se dëshmitari i pyetur nga SPAK, Blendi Teta është presionuar nga policia e shtetit dhe Ervis Martinaj për deklaratat e tij.

“Konkluzionet e SPAK nuk janë të bazuara në prova dhe ligj. Ska asnjë provë, por vetëm deduksione të krijuara nga një proces hetimor jo i plotë dhe i paragjykuar, më shumë të bazuara në histori të raportuara në media. Dëshmitari Blendi Teta, ka deklaruar para gjykatës që është kërcënuar dhe vënë në presion nga Polici e Shtetit dhe Ervis Martini dhe këto janë shkelje të rënda të ligjit.

Dëshmia nuk i shërben me të vërtetës, por fabrikim të provës. Dëshmia e Tetës i cili pretendon në Gjykatë se e ka dhënë në presion nga Ervis Martini, nuk mund të përdoret nga Prokurori në konkluzione përfundimtare. Dëshmia e Blendi Tetës konfirmohet edhe nga ajo e Ilir Selmanit, të bashkëpandehurit tjetër. Duke i bërë ato të besueshme. Edhe Selmani ka thënë para kësaj gjykate se janë dhënë 500 mijë euro për të fundosur vëllezërit Duka.

Prokuroria thotë se shkak për vrasjen është bërë hakmarrja për dy plagosje që dyshohet se ka kryer viktima Santiago Malko, por ato ngjarje janë ende pa autor dhe hetuesit i kanë pezulluar procedimet pasi nuk kanë gjetur autorët. Si mundet prokurori të përcaktoj autorin e atyre ngjarjeve, ndërkohë që personat kompetent që i kanë hetuar nuk i kanë identifikuar”- u shpreh avokatja.

Seanca ku do të jepet vendimi do të mbahet më 21 janar. Versus.al

Poll