Pamjet filmike të ngjarjes së rëndë pranë shkollës ‘Fan Noli’ ku viktimë mbeti 14 vjeçari Martin C. dhe i plagosur rëndë shoku i tij tregojnë 10 fëmijë të cilët pasi kanë dalë nga shkolla janë grumbulluar tek një dyqan peshku që ndodhet afër zonës. Sipas burimeve për Versus.al bëhet me dije se të paktën 8 të mitur janë në perimetrin e ngjarjes, por pasi shohin kamerën e vendosur në një subjekt aty afër përpiqen të futen në një cep rrugice ku ka ndodhur dhe ngjarja. Gjithashtu pamjet tregojnë një përleshje, shtyrje dhe më pas disa prej tyre largohen me vrap.
Kamerat gjithashtu kanë fiksuar dhe të miturit pas ngjarjes, viktima i cili është i gjakosur, shoku i tij gjthashtu i plagosur si dhe autori i cili duket me shenja gjaku në krah dhe që largohet me vrap. I vetmi moment i cili fatkeqësisht nuk është kapur nga kamerat, është momenti se kush gjuan kë.
Gjithashtu burimet bëjnë me dije se në momentin e ngjarjes kanë qenë të pranishëm dhe disa të mitur të tjerë të identifikuar me inicialet K.B., M.S., A.M., K.T., dhe një person tjetër i paidentifikuar ende. Të gjithë kanë vrapuar pas ngjarjes, ndërsa pamjet tregojnë dhe viktimën Martin C. të cilin e marrin në krahë dhe e fusin në makinë për ta transportuar në spital.
Vrasja e 14-vjeçarit Martin C. është mbuluar me mister, ndërsa policia ende nuk po jep versionin e plotë se çfarë ndodhi mesditën 18 nëntorit në dyert e një prej shkollave më me emër në Tiranë. Sa persona u përfshinë në vrasje dhe plagosje? Kush e mori me makinë autorin dhe e shoqëroi në spitalin privat, ku qëndroi disa ditë për një të çarë në dorë?
Një tjetër 14 vjeçari, Luis M. iu rrezikua seriozisht jeta nga disa plagë me thikë në trup, ndërsa dëshmia e tij i turbulloi sërish ujërat dhe zemrat e mijëra shqiptarëVe.
“Nga ai moment mbaj mend që shoku i Marjos, një djal me flokë të gjata më goditi pas shpine. U ktheva, e godita. Kur u ktheva përsëri pash që Mario kishte nxjerr thikën dhe po godiste Martinin në zemër, shkova direkt për të mbrojtur Martinin. Më pas më kapi një burrë që nuk e pash kush ishte, më kapi dhe më ngriti në ajër. Kur u ktheva prapë pash që Mario ishte ngritur dhe më drejtoi thikën për në zemër. Vura dorën përpara. Thika më preku vetëm pak zemrën. Më pas ai kaloi thikën nga dora e majtë në të djathë dhe donte të më sulmonte në fyt. Unë ula kokën dhe e godita me dorën e vetë në ballë. Pastaj vazhdoi lufta. Ai më qëlloi 6 herë në pjesën e kraharorit, por 4 herë më kapi. Unë pash që thika e tij ishte më e madhe se dora ime dhe u tremba. Shkova dy hapa pas dhe e qëllova në fytyrë. Më rrethuan dy. Nga frika që kisha i qëllova aq fortë sa njërit ia përplasa kokën te hekuri, Marios. Atij tjetrit i kam qëlluar në sy dhe ia futa vrapit””.
Por policia deklaroi pak ditë pas ngjarjes që vrasja dhe plagosja kishte vetëm një autor Mario P. dhe se hetimet nuk nxirrnin të përfshirë të tjerë.
Ndryshe flet procesverbali i parë i hartuar nga oficeri i policisë gjyqësore, mbajtur menjëherë pas ngjarjes.
Në skenë ‘rithirret’ dhe djali i një hetuesi të BKH-së, i cili sipas Luisit dhe babait të tij ishte ai që e goditi pas shpine.
Po i treti, jo një fëmijë, po një i rritur i cili sipas Luisit e ngriti në ajër duke e bërë pre për goditjen e radhës a është verifikuar? Prej disa ditësh, prindër e nxënës protestojnë për zbardhjen e kësaj ngjarje, dhënien e drejtësisë për një fëmijë që u vra sapo doli nga dera e shkollës, aty ku askush nuk ishte për të dhe pse ishte një kronikë e zezë e paralajmëruar. E pakta është drejtësi, kjo është thirrja dhe për ata që kanë hyrë në ‘pallatet’ nga ku ne e presim atë./ Versus.al








