
Policia e Tiranës ka zhvilluar një operacion kundër aktivitetit të paligjshëm të këmbimit valutor, duke sekuestruar shuma të konsiderueshme parash në disa valuta në tre subjekte në kryeqytet.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në ambientet e këtyre subjekteve, të ndodhura në rrugët “Abdyl Frashëri”, “Sokrat Miho” dhe “Sulejman Delvina”, u konstatua se ushtronin aktivitet këmbimi valutor pa licencën përkatëse.
Si rezultat i operacionit, u sekuestruan 45 mijë euro, 7 mijë dollarë, 3 mijë paund dhe 1.5 milion lekë.
Në lidhje me këtë rast, Policia ka nisur procedimin penal ndaj tre pronarëve të subjekteve, të identifikuar si O. L., 31 vjeç, E. P., 35 vjeçe dhe M. D., 40 vjeç. Materialet janë referuar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme.
Autoritetet bëjnë me dije se kontrollet dhe verifikimet do të vijojnë në kuadër të planit të posaçëm për goditjen e aktiviteteve ekonomike të paligjshme.
Njoftimi i policisë:
Vijon zbatimi i planit të posaçëm të masave për goditjen e rasteve të ushtrimit të aktiviteteve ekonomike, në kundërshtim me ligjin. Konstatohet se ne 3 subjekte kryhej këmbim valutor, pa licencë. Dje, Policia e Tiranës, në zbatim të këtij plani, goditi dhe 2 raste në këtë fushë. Vihen në hetim 3 pronarët e subjekteve. Sekuestrohen 45 000 euro, 7000 dollarë, 3000 paunde dhe 1 500 000 lekë. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në vijim të kontrolleve të kryera në zbatim të planit të posaçëm të masave “Për goditjen e aktiviteteve të paligjshme”, evidentuan 3 raste të tjera të këmbimit të valutave, nga subjekte të palicencuara për këtë aktivitet. Për këto raste u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për 3 pronarët e subjekteve në rrugët “Abdyl Frasheri”, “Sokrat Miho” dhe “Sulejman Delvina”, shtetasit O. L., 31 vjeç, E. P., 35 vjeçe dhe M. D., 40 vjeç. Kontrollet dhe verifikimet ndaj shtetasve dhe në subjekte, vijojnë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.Versus.al

