
Qeveria po përgatitet të ndryshojë ligjin përsa i takon pagesave të energjisë elektrike duke propozuar rregulla të reja që forcojnë detyrimin për fautrat e papaguara dhe detyrimet e prapambetura.
Ky projektligj i hedhur për konsultim publik, parashikon që klientët të jenë të detyruar të paguajnë faturat e energjisë sipas kontratës me furnizuesin, përndryshe furnizuesi ka të drejtë të marrë një sërë masash që lidhen edhe me zyrat e përmbarimit.
Ajo çfarë përbën risi në këtë projektligj është mundësia e vendosjes së barrës hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme që furnizohet me energji elektrike. Kjo masë mund të zbatohet në rastet kur detyrimi i papaguar i energjisë elektrike kalon shumën prej 1.5 milionë lekësh dhe u përket klientëve jo familjarë, pra bizneseve kryesisht.
Me vendosjen e barrës hipotekore, prona lidhet juridikisht me borxhin dhe nuk mund të përdoret lirshëm pa e shlyer atë duke e kthyer faturën e energjisë elektrike në detyrim që lidhet drejtëpërdrejt me pasurinë e paluajtshme. Projektligji i jep të drejtë furnizuesit të ndjekë procedurat e përmbarimit pa pasur nevojë për procese të gjata gjyqësore.
Pavarësisht se në tekstin e projektligjit nuk përdoret termi ‘’sekuestrim’’ ky kombinim i barrës hipotekore me procedurat e përmbarimit krijon bazën ligjore që në faza të mëtejshme, nëse borxhi nuk shlyhet, të arrihet deri në ekzekutimin e pasurisë sipas legjislacionit civil. Me anë të këtij projektligji synohet reduktimi i borxheve të këqija dhe forcimi i disiplinës së pagesave. Versus.al

