AKTUALITET /

"Guvernatori dhe zëvendësit e tij s'mund të arrestohen", pr/ligji për BSH: Duhet autorizim nga Kushtetuesja

Në rast se gjykata nuk shprehet brenda 2 javëve nga dorëzimi i kërkesës, atëherë konsiderohet refuzim.

Shkruar nga Versus

"Guvernatori dhe zëvendësit e tij s'mund të

Projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë parashikon mbrojtje të posaçme për Guvernatorin dhe zëvendësit e tij duke bërë të qartë se ata nuk mund të arrestohen, t’u kufizohet liria, apo t’u ushtrohet kontroll banese pa një autorizim paraprak nga Gjykata Kushtetuese.

I vetmi përjashtim nga ky rregull i nenit 72 në pr/ligjin për Bankën e Shqipërisë, është rasti kur ata kapen në flagrancë ose janë në ndjekje të menjëhershme pas kryerjes së një krimi. Gjithashtu në këtë projektligj përcaktohet se për çdo veprim tjetër jashtë këtyre rasteve, prokurori që po heton çështjen, duhet të kërkojë autorizimin e Gjykatës Kushtetuese.

Më pas GJK duhet të shqyrtojë kërkesën dhe të marrë vendim brenda 2 javëve nga paraqitja e saj. Nëse brenda afatit nuk jepet vendim, kërkesa për autorizim konsiderohet e refuzuar.

“Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët nuk mund të arrestohen ose të privohen nga liria në ndonjë formë, as t'i nënshtrohen kontrollit personal apo të banesës, pa autorizimin e Gjykatës Kushtetuese, përveç rasteve kur kapen në flagrancë ose ndërsa janë në ndjekje menjëherë pas kryerjes së një krimi.

Me përjashtim të rastit të specifikuar në pikën 1 të këtij neni, prokurori i çështjes duhet të kërkojë menjëherë autorizimin e Gjykatës Kushtetuese përpara se të kryejë arrestimin, kontrollin personal ose të banesës së Guvernatorit dhe Zëvendësguvernatorëve. Gjykata Kushtetuese merr vendim për autorizimin brenda dy javëve nga data kur i paraqitet çështja. Në rast se Gjykata Kushtetuese nuk vendos brenda këtij afati kohor, kërkesa për autorizim konsiderohet e refuzuar” - përcaktohet në nenin 72.

Dispozita është pjesë e projektligjit të ri për Bankën e Shqipërisë, i cili sjell ndryshime në statusin ligjor të drejtuesve të Bankës së Shqipërisë. Versus.al

Poll