AKTUALITET /

Zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: 37 vatra aktive, situata më problematike në jug

Ministria e Mbrojtjes ka raportuar se gjatë orëve të fundit në vend janë evidentuar 37 vatra zjarri aktive, me situata veçanërisht të rënduara në qarqet Vlorë, Gjirokastër, Elbasan dhe Berat.

Shkruar nga Versus

Zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: 37 vatra aktive, situata më

Ministria e Mbrojtjes ka raportuar se gjatë orëve të fundit në vend janë evidentuar 37 vatra zjarri aktive, me situata veçanërisht të rënduara në qarqet Vlorë, Gjirokastër, Elbasan dhe Berat.

Qarku Vlorë
Në bashkinë Delvinë, zjarri ka depërtuar në lagjen “Kasapaj” dhe ka prekur disa banesa. Në operacion po marrin pjesë edhe dy helikopterë çek dhe sllovak në mbështetje të forcave tokësore.
Në bashkinë Finiq, vatrat në Dhivër, Syrin e Kaltër dhe fshatrat përreth po përhapen drejt Delvinës dhe kanë kapur kodrat e Malit të Gjerë dhe Sopotit. Situata rëndohet edhe në fshatin Tremul, ku rrezikohen banesat.
Vatra aktive ka edhe në Malin e Sopotit, ndërsa në Bistricë zjarri po mbahet nën kontroll.

Qarku Dibër
Në Ternovë, bashkia Bulqizë, zjarri pranë Liqenit të Zi ka marrë përmasa për shkak të erës dhe terrenit të vështirë. Në operacion janë angazhuar forca të FA, zjarrfikës dhe punonjës bashkiakë.
Vatra të tjera janë regjistruar në Malin me Gropa (Bizë e Martaneshit), Sohodoll dhe zona të tjera, pa rrezik të menjëhershëm për banesa.

Qarku Berat
Në Poliçan vijon të digjet “Rezervati i Menaxhuar Balloll”, me rrezik për banesat në Çorogjaf dhe Lagjen Selenicë.
Në fshatin Vokopolë janë djegur 6 banesa, nga të cilat 3 të pabanuara, pas një zjarri të shkaktuar nga një shkëndijë elektrike. Situata është nën monitorim.
Vatra të tjera aktive raportohen në Mbrakull, Velçan, Orizaj, Çiflig dhe Goraj.

Qarku Tiranë
Në Ferraj dhe Zall-Herr zjarri vijon prej 10 gushtit dhe po përhapet në zonë kodrinore, duke vështirësuar ndërhyrjen.
Vatra të tjera aktive raportohen në Vaqarr, Pezë, Malin e Bërzhitës dhe Kodër Selitë.

Qarku Gjirokastër
Në Dhuvjan dhe fshatrat Lugar e Frashtan situata është pjesërisht nën kontroll, por në Turan dhe Lekel flakët kanë shkaktuar dëme të mëdha, përfshirë djegien e dy stallave bagëtish dhe humbjen e disa kafshëve.
Vatra aktive janë regjistruar edhe në Lazarat dhe Goranxi.

Qarku Elbasan
Në Gramsh, flakët në fshatin Kullollas po përhapen drejt Nartës, ku është dhënë urdhër evakuimi. Zjarri ka përfshirë edhe fshatrat Harunas, Mukaj dhe Sojnik.
Vatra të tjera raportohen në Garunjë dhe Polis Gurëshpat.

Qarku Shkodër
Situatë e qetësuar në Xeth të Fushë-Arrëzit dhe Mesul të Pukës, ndërsa në Shegan të Malësisë së Madhe terreni vështirëson ndërhyrjen.

Qarku Kukës
Në Parkun Natyror të Monellës zjarri në Maja e Zezë është izoluar.

Qarku Korçë
Në Gërmenj të Kolonjës vatra mbetet problematike për shkak të municioneve të vjetra që shpërthejnë herë pas here.

Qarku Lezhë
Dy vatra zjarri janë shfaqur në fshatin Blinisht pranë kishës së fshatit.

Autoritetet bëjnë apel për kujdes të shtuar dhe raportim të menjëhershëm të çdo vatre të re, ndërsa në disa zona po vijon ndërhyrja nga ajri dhe toka me të gjitha kapacitetet në dispozicion./Versus.al

Poll