
Shqipëria po përballet me një situatë alarmante për shkak të përhapjes masive të zjarreve në disa qarqe të vendit. Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 29 vatra zjarri, prej të cilave 10 janë ende aktive, ndërsa 4 janë nën monitorim të vazhdueshëm.
Delvina – zjarri rrezikon jetën e banorëve
Një nga vatrat më të rënda është regjistruar në fshatin Vergo të Delvinës, ku zjarri ka përfshirë zona të banuara dhe ka vendosur në rrezik jetën e shumë banorëve, kryesisht të moshuar. Shefi i Komisariatit të Policisë së Delvinës, Komisar Agim Troci, pësoi djegie të rënda në trup gjatë përpjekjeve për të shpëtuar disa prej tyre dhe aktualisht ndodhet në repartin e djegieve në QSUT, nën kujdes të specializuar mjekësor.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, e ka vizituar atë në spital dhe e ka përgëzuar për aktin e tij heroik dhe human. Autoritetet lokale dhe forcat zjarrfikëse janë ende në terren për të vënë nën kontroll flakët, të favorizuara nga era e fortë dhe temperaturat e larta.
Një tjetër zjarr i madh është shfaqur edhe në Elbasan, ku flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të madhe me shkurre dhe pisha në zonën e kodrave në periferi të qytetit. Zjarrfikësit po punojnë intensivisht për të izoluar vatrën dhe për të parandaluar përhapjen e saj drejt zonave të banuara.
Mbrojtja Civile: Situata nën monitorim të vazhdueshëm
Autoritetet theksojnë se situata është dinamike dhe strukturat e Mbrojtjes Civile, së bashku me forcat zjarrfikëse dhe njësitë vendore, po punojnë pa ndërprerje për të menaxhuar emergjencat. Apeli për qytetarët është të tregojnë kujdes maksimal dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të re tek autoritetet. /Versus.al







