AKTUALITET /

Zv/kryeministrja Balluku inspekton punimet në rrugën hyrëse të Ksamilit: Investim strategjik për sezonin turistik!

Projekti synon të përmirësojë qarkullimin në një nga zonat më të vizituara turistike të vendit gjatë verës.

Shkruar nga Versus
Zv/kryeministrja Balluku inspekton punimet në rrugën hyrëse
Belinda Balluku duke inspektuar rrugën hyrëse në Ksamil

Zëvendëskryeministrja dhe njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, zhvilloi një inspektim në kantierin e rrugës hyrëse për në Ksamil, një projekt që synon të përmirësojë qarkullimin në një nga zonat më të vizituara turistike të vendit gjatë verës.

Segmenti prej 4.2 kilometrash do të ndahet në dy pjesë: 1.6 kilometra do të shndërrohen në rrugë me tri korsi për të rritur kapacitetin e qarkullimit, ndërsa 2.6 kilometrat e tjera do të jenë me dy korsi, të kategorisë C interurbane.

Aksi do të përfshijë trotuare, ndriçim, sinjalistikë moderne, vepra arti dhe korsi për biçikleta.

Deri tani është përfunduar rreth 30% e punimeve, ndërsa përfundimi i plotë është parashikuar për prillin e vitit 2026.

Balluku theksoi rëndësinë e respektimit të afateve kontraktuale, duke shtuar se do të ishte e dëshirueshme që rruga të përfundojë përpara nisjes së sezonit turistik të atij viti.

Ajo nënvizoi gjithashtu masat që po ndërmerren për sigurinë rrugore gjatë sezonit veror, si rifreskimi i sinjalistikës dhe pajisja e akseve kryesore me kamera mbikëqyrjeje.

Paralelisht, po vijon mirëmbajtja e akseve të rëndësishme si hyrja e tunelit të Llogorasë, segmenti Dhërmi–Palasë dhe rruga bregdetare.

Në fokus të projekteve afatgjata është ndërtimi i rrugës Tuneli i Llogorasë–Sarandë, që do të njihet si “rruga e bregut”, për të lehtësuar ndjeshëm qarkullimin në rivierën shqiptare./Versus.al

 

 

Poll