Shefja e Sektorit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian, Sigrid Brettel, deklaroi sot në Strasburg se është ende herët për të nxjerrë përfundime mbi situatën pas zgjedhjeve të 11 majit në Shqipëri. Komentet e saj erdhën pas dëgjimit të dy delegacioneve shqiptare, nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, në kuadër të Komisionit të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri.
Brettel theksoi rëndësinë e pritjes së raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR, që pritet të publikohet në korrik, për të pasur një panoramë të qartë dhe të gjithanshme mbi zhvillimet zgjedhore.
“Aktualisht jemi ende në një periudhë paszgjedhore. Mendoj se është ende pak herët për të nxjerrë të gjitha përfundimet. Ende po vijon rinumërimi në disa pjesë të vendit. Ne presim raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR në korrik,” u shpreh Brettel.
Ajo shtoi se Komisioni Evropian do të ndjekë nga afër jo vetëm vlerësimin e procesit, por edhe zbatimin e rekomandimeve, përfshirë ato të mbetura pezull nga zgjedhjet e mëparshme.
Fokus edhe te institucionet demokratike dhe siguria e gazetarëve
Në këtë forum, deputetja demokrate Ina Zhupa solli në vëmendje problematika që lidhen me lirinë e medias, sigurinë e gazetarëve dhe presionet gjatë fushatës zgjedhore. Ajo theksoi se këto janë çështje që nuk kufizohen vetëm në periudhat elektorale, por janë prezente në mënyrë të vazhdueshme.
Brettel, duke iu referuar aspektit të integrimit të Shqipërisë në BE, theksoi se një nga pikët ndërmjetme në negociatat e anëtarësimit lidhet drejtpërdrejt me monitorimin e institucioneve demokratike dhe funksionimin e tyre, si pjesë e hartave të rrugës që vendet kandidate duhet të përmbushin.
“Do të ketë një mekanizëm raportimi për këtë, të cilin ne do ta shqyrtojmë dhe vlerësojmë,” tha ajo.
Në pritje të raportit të progresit
Brettel bëri të ditur gjithashtu se në raportin e progresit për Shqipërinë, që do të publikohet më vonë gjatë vitit, Komisioni do të ketë më shumë distancë kohore për të vlerësuar objektivisht zhvillimet paszgjedhore. Raporti do të analizojë gjithashtu punën e institucioneve të posaçme si SPAK, KQZ, dhe Prokuroria e Përgjithshme në lidhje me procesin zgjedhor dhe integritetin institucional. /Versus.al







