Një ngjarje e pabesueshme ka ndodhur në rajonin e largët dhe malor të Kohistanit në Pakistan, ku trupi i një burri që ishte zhdukur prej 28 vitesh u gjet i paprekur brenda një akullnaje të shkrirë.
Siç raporton BBC, një bari e gjeti rastësisht trupin e burrit, i cili ishte në gjendje jashtëzakonisht të mirë, me rrobat tërësisht të ruajtura, në të ashtuquajturën “Lugina e Zonjes”, në anën lindore të vendit. “Ajo që pashë ishte e pabesueshme. Trupi ishte i paprekur. Rrobat nuk ishin as të shqyera,” deklaroi për BBC Urdu bariu që e gjeti trupin, Omar Khan.
Pranë trupit u gjet edhe një kartë identiteti me emrin Naseeruddin. Policia arriti të identifikojë një burrë që dyshohet të jetë zhdukur në atë zonë në qershor të vitit 1997, pasi kishte rënë në një çarje akullnaje gjatë një stuhie dëbore.
Body found on melting Pakistan’s glacier 28 years after disappearance#ARYNews https://t.co/sc3lcGv0zP
— ARY NEWS (@ARYNEWSOFFICIAL) August 4, 2025
Në këtë zonë është vërejtur një reduktim i reshjeve të dëborës gjatë viteve të fundit, duke i ekspozuar akullnajat ndaj rrezatimit të drejtpërdrejtë diellor, çka ka përshpejtuar shkrirjen e tyre. Sipas ekspertëve, zbulimi i trupit tregon qartë se ndryshimet klimatike kanë ndikuar në përshpejtimin e këtij procesi.
Sapo policia konfirmoi se bëhej fjalë për Naseeruddin-in, banorët vendas nisën të ofrojnë më shumë informacione, shtoi Khan. Naseeruddini kishte një bashkëshorte dhe dy fëmijë. Ditën që u zhduk, ai po udhëtonte me kalë bashkë me vëllain e tij, Kathiruddin.
Sipas policisë, një konflikt familjar kishte detyruar të dy vëllezërit të largoheshin nga shtëpia.
Kathiruddini tha për BBC Urdu se kishin mbërritur në luginë atë mëngjes dhe rreth mesditës, vëllai i tij kishte hyrë në një shpellë.
Kur nuk ishte kthyer, ai e kishte kërkuar brenda në shpellë dhe më pas kishte shkuar të kërkonte ndihmë nga njerëz të tjerë në zonë për të vazhduar kërkimet. Megjithatë, ai nuk u gjet kurrë.
Si është e mundur që një trup të ruhet në gjendje të përsosur pas 28 vitesh?
Kur një trup i njeriut bie në një akullnajë, i ftohti ekstrem e ngrin atë menjëherë, duke parandaluar dekompozimin, tha profesori Muhammad Bilal, drejtues i Departamentit të Mjedisit në Universitetin Comsats në Islamabad.
Më pas, trupi mumifikohet për shkak të mungesës së lagështirës dhe oksigjenit brenda akullnajës./Versus.al







