Një avion luftarak amerikan i tipit F-15E u rrëzua mbi territorin e Iranit ditën e djeshme, duke shënuar një nga humbjet më të mëdha të SHBA-së brenda vendit që nga fillimi i konfliktit më 28 shkurt.
Avioni kishte në bord dy persona: një pilot dhe një oficer armësh. Sipas raportimeve nga mediat amerikane, njëri prej tyre është shpëtuar nga forcat speciale amerikane, ndërsa kërkimet për personin e dytë vijojnë.
Ndërkohë, një kanal televiziv iranian ka njoftuar se është vendosur një shpërblim prej 60,000 dollarësh për qytetarët që arrijnë të kapin pilotin amerikan të zhdukur dhe ta dorëzojnë atë tek autoritetet policore ose ushtarake.
Në një deklaratë drejtuar banorëve të provincave Kohgiluyeh dhe Boyer-Ahmad thuhet:
“Forcat ushtarake kanë nisur një operacion kërkimi për pilotin amerikan të rrëzuar më herët sot. Të dashur qytetarë, nëse e kapni pilotin armik të gjallë dhe e dorëzoni tek policia apo forcat ushtarake, do të shpërbleheni me 60 mijë dollarë”, thuhej në reagim.
Sipas burimeve amerikane, foto dhe video të publikuara në rrjetet sociale dhe në mediat iraniane tregojnë helikopterë dhe avionë të tjerë amerikanë që fluturojnë në lartësi të ulët mbi zonën e rrëzimit, në kuadër të operacioneve të kërkim-shpëtimit.

