Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni është nën hetim për favorizim dhe shpërdorim detyre lidhur me rikthimin e komandantit libian në vendin e tij i kërkuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, Osama Njeem Almasri.
Këtë lajm e ka bërë publike vetë Meloni përmes rrjeteve sociale.
«Lajmi është ky», tha Meloni në një video. «Prokurori i Republikës, Lo Voi, i njëjti që drejtoi – le ta themi – procesin e dështuar kundër Matteo Salvinit për rrëmbim njerëzish, më ka dërguar një njoftim për lirimin e Almasri një njoftim i ngjashëm është dërguar edhe ministrave Nordio, Piantedosi dhe Mantovano.»
Sipas Meloni, hetimi ka filluar pas një ankesë nga avokati «Luigi Li Gotti, ish-politikan i majtë, shumë afër Romano Prodit, i njohur si avokat i personazhave si Buscetta, Brusca dhe mafiozë të tjerë.»
Faktet, sipas versionit të kryeministres italiane, janë «mjaft të njohura: Gjykata Ndërkombëtare Penale, pas muajsh konsiderate, lëshoi një urdhër arrestimi ndërkombëtar kundër shefit të policisë së Tripolit. Çuditërisht, këtë e bëri pikërisht kur ky person ishte gati të hynte në territorin italian, pasi kishte qëndruar pa probleme për rreth 12 ditë në tre shtete të tjera evropiane. Kërkesa nuk u dërgua ministrisë italiane të Drejtësisë, dhe për këtë arsye Gjykata e Apelit e Romës vendosi të mos e konfirmonte urdhrin. Në këtë situatë, me këtë person të lirë në territorin italian, në vend që ta linim të lirë, ne vendosëm ta dëbojmë dhe ta rikthejmë në vend menjëherë, për arsye sigurie, me një fluturim të organizuar, siç ndodh në raste të ngjashme. Kjo është arsyeja pse Prokuroria po më heton mua, nënsekretarin Mantovano dhe dy ministra të tjerë.»**
«Unë», vazhdon Meloni, «mendoj që sot vlen e njëjta gjë që vlente dje: unë nuk jam e disponueshme për të qenë delja e zezë, nuk lejoj të më frikësojnë, dhe është e mundur që për këtë arsye të jem e padëshiruar për ata që nuk duan që Italia të ndryshojë dhe të bëhet më e mirë, por pikërisht për këtë arsye unë synoj të vazhdoj rrugën time për mbrojtjen e italianëve, sidomos kur është në lojë siguria e kombit. Me kokë lart dhe pa frikë.»
Njoftimi i garancisë erdhi në prag të një informate, e cila është planifikuar për nesër në Senat, nga ministri i Drejtësisë Carlo Nordio dhe ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi, pikërisht për rastin e arrestimit, lirimit dhe riatdhesimit në vend të Almasrit, i cili është i kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për krime lufte dhe kundër njerëzimit.
Disa ditë më parë, Asociacioni Kombëtar i Gjykatësve kishte akuzuar Nordion për mos-përgjigje ndaj kërkesave të Gjykatës së Apelit të Romës – duke lejuar kështu lirimin e libianit.
Oficeri libian Almasri u arrestua më 19 janar në Torino sepse pwr tw ishte lëshuar një «njoftim i kuq» nga Interpoli me urdhër të Hagës. Prokuroria i dërgoi një informacion fillestar në via Arenula, e ndjekur nga ajo e Prokurorisë së Përgjithshme të Romës ditën pasuese.
Më 21 janar, pasi kaluan 48 orët e lejuara nga ligji për të mbajtur të arrestuarin, dhe në mungesë të një përgjigjeje nga ministria, Almasri u lirua, por në të njëjtën kohë u dëbua./Versus.al







