Asnjëra palë, as Rusia dhe as Ukraina, nuk treguan përfundimisht interes për respektimin e armëpushimit 30-orësh të shpallur dje, të Shtunën e Madhe, nga presidenti rus Vladimir Putin, me rastin e Pashkëve.
Kievi dhe Moska akuzojnë njëri-tjetrin për bombardime dhe sulme me dronë që vazhdojnë gjatë natës së së shtunës deri të dielën, madje edhe të dielën e Pashkëve.
Armëpushimi, për arsye humanitare, ishte dashur të përfundonte në mesnatën e së dielës. Presidenti Putin nuk ka dhënë urdhrin për zgjatjen e armëpushimit, njoftoi të dielën agjencia e lajmeve TASS, duke cituar zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov.
Pasditen e së dielës së Pashkëve, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi forcat ushtarake ruse për vazhdimin e sulmeve pavarësisht armëpushimit.
Në postimin e tij ai ka shkruar se bombardimet nga pala ruse dhe sulmet me dronë kanë vazhduar gjatë gjithë natës. U regjistruan të paktën 46 raste bombardimesh, 900 sulme me mortaja dhe pesë sulme përgjatë frontit, si dhe dhjetëra sulme me dronë, shpjegoi ai.
Rusët thuhet gjithashtu se sulmuan një autokolonë evakuimi në fshatin Zorya, afër qytetit të Kostandinevka. Të paktën dy civilë dhe një punonjës shpëtimi u plagosën kur dronët rusë shënjestruan makinat e tyre.
“Që nga mëngjesi i Pashkëve, mund të themi se ushtria ruse po përpiqet të krijojë një përshtypje të përgjithshme të një armëpushimi , por në disa vende ajo nuk braktis përpjekjet individuale për të avancuar dhe për të shkaktuar humbje në Ukrainë”, shkroi presidenti ukrainas, duke cituar një raport të shefit të ushtrisë ukrainase Oleksandr Shirsky.
Tashmë dje, Zelensky kishte theksuar se Ukraina do t'i përgjigjej njëlloj çdo sulmi të tillë.
“Kjo Pashkë tregoi qartë se burimi i vetëm i luftës dhe arsyeja pse po zgjatet është Rusia”, theksoi ai.
Por Moska kishte raportuar gjithashtu se forcat e saj zmbrapsën sulmet ukrainase gjatë natës në zonat e Donetsk. Në të njëjtën kohë, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se Ukraina kreu qindra sulme me dronë.
Ukraina ishte jashtëzakonisht e kujdesshme në lidhje me propozimin e presidentit rus, duke theksuar se askush nuk mund t'u besojë deklaratave të palës ruse. Ai madje theksoi se do t'i përgjigjet çdo shkeljeje të armëpushimit nga pala ruse.
Edhe pse nuk e kishte refuzuar plotësisht propozimin, Kievi kishte propozuar zgjatjen e armëpushimit në 30 ditë në vend të 30 orësh. Megjithatë, që në fillim Moska e kishte refuzuar propozimin ukrainas, i cili ishte formuluar prej javësh.








