
Të dhëna të publikuara së fundmi në median gjermane ‘Der Spiegel’ kanë ngritur shqetësime për planin e paqes në Ukrainë të prezantuar nga SHBA-të.
Media ka zbuluar një bisedë telefonike që presidenti francez, Emanuel Macron ka patur me kancelarin gjerman, Friedrich Merz lidhur me luftën në Ukrainë. Macron paralajmëroi se SHBA-të mund të tradhëtojnë Ukrainën dhe propozoi hartimin e një strategjie për mbrojtjen e Kievit.
Pjesë e telefonatës ishin edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, presidenti i Finlandës Alexandër Stubb dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Ekziston mundësia që SHBA-të të tradhtojnë Ukrainën për çështjen e territorit pa qartësi mbi garancitë e sigurisë”, tha Macron, sipas Spiegel, duke shtuar se ekzistonte “një rrezik i madh” për Zelenskyn.
Kur u pyet për raportin, një zyrtar i Elysée, i cili mbeti anonim për t'iu përmbajtur protokollit standard profesional në Francë, theksoi se zyra e Macron publikoi përmbledhjen e vet të shkëmbimit “në të cilin kjo fjalë [tradhti] nuk figuron”. Zyrtari shtoi se qëndrimi i Macronit mbi bisedimet e paqes "nuk është ndryshe në privatësi" nga ajo që ai deklaron publikisht.
Një zëdhënës i ministrisë së jashtme franceze tha: "Shkëmbimet me homologët tanë amerikanë janë veçanërisht të pasura. Pa dyshim që e patë që presidenti francez priti Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Pallatin Elysée të hënën, dhe menjëherë më pas ai informoi negociatorët në Florida dhe sigurisht Presidentin Donald Trump."
Merz shtoi se Zelensky duhej të ishte "jashtëzakonisht i kujdesshëm në ditët në vijim".
"Ata po luajnë lojëra, si me ju ashtu edhe me ne", tha Merz, duke iu referuar me sa duket të dërguarve të Uashingtonit Steve Witkoff dhe Jared Kushner dhëndrit të Presidentit Amerikan Donald Trump të cilët kaluan pesë orë të mbyllura në bisedime me udhëheqësin rus Vladimir Putin të martën. Ndërsa zëdhënësi i Merz nuk ka dhënë komente për mediat. Versus.al
