
Pas vrasjes së 19 vjeçarit nga bashkëmoshatari i tij, një tjetër ngjarje e rëndë tronditi Kosovën mbrëmjen e djeshme, ku një 42 vjeçare u vra nga ish-punëdhënësi i saj, Asim Morina i cili më pas kreu vetëvrasje.
Sipas mediave kosovare ngjarja ndodhi në Stanoc të Vushtrisë, ku pronari i furrës ‘Diellza’ vrau Nexhmije Haradinin për motive xhelozie pasi 42 vjeçarja kishte shkuar të punonte në një vend tjetër.
Gjithashtu mësohet se në momentin kur Asim Morina kreu aktin e rëndë, Haradini ishte në shoqërinë e një tjeter gruaje dhe një fëmijë të mitur.
Autori e kishte ndjekur përgjatë gjithë ditës dhe në momentin kur fugoni e kishte kthyer prej punës, 58-vjeçari kishte pritur momentin kur 42-vjeçarja së bashku me një tjetër shtetase, identiteti i të cilës ende nuk dihet, dhe fëmijën e mitur ishin future në një nënkalim ai kishte nxjerrë armën dhe kishte qëlluar mbi të. Fatmirësisht gruaja dhe fëmija tjetër nuk mbetën të plagosur.

“Fillimisht dyshohet se e njëjta ka ndryshuar vendin e punës, ku kishte punuar bashkë me bashkëshortin rreth pesë vjet dhe ka kaluar në një veprimtari tjetër biznesore të po të njëjtit sektor, përballë ish-furrës ku punonte, në Milloshevë. Pasi ka ndodhur një situatë e tillë, ish-pronari i furrës ku ka punuar tashmë e ndjera, e ka përcjellur po atë ditë të ndjerën kur ka qenë duke dalur nga puna dhe në momentin që ka zbritur nga furgoni i cili e kishte bartur atë nga puna deri në Stanoc, diku rreth 3-4 katër kilometra me furgon, në kohën kur ajo është futur në nënkalim, ka rënë në pritë të ish-pronarit të furrës ku ka qenë duke punuar dhe dyshohet se aty ka ndodhur edhe vrasja e gruas në fjalë”, u shpreh ndër të tjera gazetari Urall Boshnjaku.
Nexhmije Haradini ishte nënë e tre fëmijëve. Dy vajza dhe një djalë 18-vjeçar, ndërkohë vajzat janë në moshë të mitur./Versus.al








