Disa kanale ruse në Telegram kanë publikuar një fotografi të Bashar al-Assad, ku ai shfaqet së bashku me gruan e tij në Moskë. Kjo konsiderohet si fotografia e parë publike e diktatorit sirian në tokën rus.
Pas marrjes së kontrollit të Damaskut nga kryengritësit, Assad u detyrua të largohej nga Siria me familjen e tij. Sipas raportimeve të agjencisë ruse Interfax, ai ka arritur në Moskë, ku Rusia i ka garantuar azil pas rënies së Damaskut. Një burim i paidentifikuar tha për agjencinë se “Presidenti sirian Assad ka mbërritur në Moskë, dhe Rusia u ofroi atij dhe familjes së tij azil për arsye humanitare.”
Presidenti amerikan Joe Biden, në një konferencë të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, e konsideroi rënien e regjimit të Assad si një mundësi historike për popullin sirian. Ai e përshkroi largimin e Assad si një veprim thelbësor drejt drejtësisë, por njëkohësisht e cilësoi si një moment të rrezikshëm dhe të pasigurt. Biden theksoi se "Assad duhet të përballet me drejtësinë dhe të ndëshkohet për krimet e tij".
Regjimi i Presidentit Bashar al-Assad u rrëzua të dielën (8 dhjetor) pas një sulmi të fuqishëm të forcave kryengritëse që morën kontrollin e kryeqytetit sirian. Ushtria e tij u detyrua të braktisë qytetin dhe aeroportin, duke e lënë Damaskun “të lirë nga Assadi”, sipas një deklarate të rebelëve publikuar në rrjetet sociale, ndërsa turmat dolën në rrugë për të festuar fundin e 50 viteve të sundimit të familjes Assad.
Fotoja e parë e ish-presidentit sirian në tokën ruse sipas disa kanaleve në rrjetin social Telegram








