BOTA /

“Beteja në Banjskë”/ Dëshmia tronditëse e rreshterit Rashiti për vrasjen e Afrim Bunjakut

Në seancën gjyqësore për rastin “Banjska”, që po mbahet në Gjykatën Themelore të Prishtinës, dëshmoi sot rreshteri i Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë, Alban Rashiti, i cili u plagos gjatë aksionit ku mbeti i vrarë kolegu i tij, Afrim Bunjaku, në shtator 2023.

Shkruar nga Versus
“Beteja në Banjskë”/ Dëshmia tronditëse e
Seanca gjyqësore në Prishtinë

Në seancën gjyqësore për rastin “Banjska”, që po mbahet në Gjykatën Themelore të Prishtinës, dëshmoi sot rreshteri i Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë, Alban Rashiti, i cili u plagos gjatë aksionit ku mbeti i vrarë kolegu i tij, Afrim Bunjaku, në shtator 2023.

Rashiti tha se gjithçka nisi kur në orën 21 morën informacion për një veturë të dyshimtë të parkuar në një livadh.

“Informatën e parë për një veturë të dyshimta e kemi pranuar në ora 21 dhe informata ka qenë nga dhomat komanduese, një veturë është e parkuar në një livadh dhe ajo informatë është dhënë nga njësia për reagim të shpejtë dhe sipas tyre ajo veturë është e dyshimtë. Nga dhoma komanduese është konfirmuar se për këtë veturë nuk ka të dhëna në sistem”, ka thënë Rashiti në nisje të dëshmisë.

Kur arritën në fshatin Banjska, panë dy kamionë të mëdhenj që kishin bllokuar urën. Nuk shihnin lëvizje, por ndriçimi ishte shumë i fortë dhe e pazakontë për zonën. U kthyen për të raportuar, ndërkohë mbërritën edhe dy njësi të tjera, përfshirë Bunjakun. Pasi po përgatiteshin për pozicionim, ndodhi shpërthimi.

“Sa kemi arritur në fshatin Banjska më saktësisht te ura, kemi vërejtur dy kamionë, peshë e rëndë, që kanë bllokuar ose barrikaduar urën, pra kanë qenë mbi urë të parkuar, paralel. Kemi vëzhguar fillimisht a ka diçka të dyshimtë, nuk kemi pa persona që po lëvizin, kolegët kanë tentuar ta lajmërojnë menjëherë dhomën komanduese mirëpo ka pasur problem me kalu radiolidhjen dhe e kemi parë të arsyeshme që të shkojmë në një pozicion tjetër që të komunikojmë lirshëm. Kemi vazhduar në rrugën kryesore, nuk ka pasur diçka të dyshimtë, kemi kontaktuar me dhomën komanduese dhe i kemi raportuar për dy kamionët e dyshimtë që kishin barrikaduar urën. Nga dhoma komanduese na është kërkuar të kthehemi në vendngjarje dhe mundësisht na janë kërkuar foto, menjëherë jemi kthyer në hyrje të fshatit Banjska. Veturën e kemi parkuar diku 30 metra larg kamionëve për shkak se kishte shumë ndriçim. Nga dhoma komanduese na është thënë se janë dërguar 2 njësi për asistencë, njësi të Zveçanit. Jemi dalë me kolegët Mirsadin dhe Çlirimin. Unë dhe Mirsadi jemi afruar te kamionët me shiku nëse ka diçka të dyshimtë, nuk ka vonuar më shumë se 20 minuta kanë arritë dy vetura policore në vendngjarje, aty kanë qenë 6 policë përfshirë të ndjerin Afrim Bunjaku, unë kam qenë afër kamionëve e Mirsadi ka komunikuar me kolegët e tjerë. Mirsadi me një kolegë kanë vazhduar në drejtim të kamionëve, t’i shikojnë për së afërmi. E kujtoj që rreshteri Afrimi ka ardhur dhe jemi konsultuar që t’i marrim disa pozita dhe të jemi në gjendje gatishmëria pasi e dinim që mund të kishte rrezik”, ka shtuar ai.

Nuk ka pasur diçka tjetër të dyshimtë përpos kamionëve dhe ndriçimit, pasi ka qenë ndriçim shumë më i madh se ditëve tjera. Gjendja në fshat ka qenë thuajse qetësi absolute gjë që nuk ka qenë e zakonshme në atë kohë. Kam kërkuar nga kolegu Çlirimi t’i përdorë dylbitë termike që të shikojë nëse ka diçka të dyshimtë. Ndoshta kur jam larguar 3 apo 4 metra nga Afrim Bunjaku, nga ana e majtë ka ndodhë një shpërthim i papritur dhe jam plagosur në anën e majtë. Shpërthimi ishte shumë i madh, eksplodim shumë i madh. Jam munduar të kalojë në pozitë mbrojtëse afër një kamionete menjëherë ka ndodhur një shpërthim tjetër. Pa u vonuar shumë kanë filluar gjuajtjet me armë zjarri, kur kanë filluar kemi parë që ka gjuajtje nga tërë fshati, nga dhjetar pozicione me armë të kalibrave të ndryshëm, kemi filluar të kthejmë zjarrin, mirëpo në anën e majtë timen kam vërejtur se rreshteri Afrim Bunjaku ka mbetur i shtrirë dhe i gjakosur nga qafa dhe i palëvizshëm dhe kemi kërkuake nga Çlirimi të afrohet me veturë që ta tërheqim rreshterin nga ai vend, ai është nisur me makinë dhe e kanë goditur me predha të ndryshme dhe e kanë bërë veturën e palëvizshme”, ka vazhduar ai.

Rashiti u plagos në anën e majtë, ndërsa Bunjaku mbeti i vrarë nga plumbat në qafë. Pas shpërthimeve filluan të shtënat nga dhjetëra pozicione të ndryshme, me armë të kalibrave të ndryshëm. Ata u gjendën nën zjarr të fortë dhe me mjetet e dëmtuara. Rashiti tregoi se kishin hasur edhe një dron që po i vëzhgonte dhe qëlloi drejt tij, por nuk e di nëse e goditi.

“Ato momente ishin të vështira pasi që ishim më pak zyrtarë policorë, veturat i kishim të dëmtuara nga predhat, mua më rridhte gjak, gjithashtu vërejta që jam i plagosur edhe në këmbë dhe aty kam vërejtur që ka qenë një dron duke na vëzhguar lëvizjet, kam shtënë në drejtim të dronit por nuk e di a e kam goditë. Aty kam kaluar nga kolegët që të bashkohemi në një pikë të vetme, pasi disa ishin në një pikë tjetër, kemi arritur me mbulim të zjarrit të grumbullohemi dhe aty e kemi parë gjendjen që gjuajtjet thuajse u ndalën dhe kishte lëvizje të dyshimta dhe menduam që personat që po na sulmonin po afroheshin tek ne. Aty prapa kemi filluar ballafaqimin deri në momentin kur ka ardhur asistenca nga Kushtova”, ka thënë ai.

Sipas Rashitit, për përdorimin e armëve që janë përdorur duhet të ketë trajnime specifike. Ka theksuar se gjithçka ka qenë e koordinuar, pra sipas tij, ata kanë qenë një grup mirë i përgatitur dhe nuk ka qenë grup kriminal i zakonshëm.

“Kanë qenë të strukturuar shumë mirë, aty është gjuajtur edhe me raketahedhës që kërkon kompetencë, as ushtari i thjeshtë nuk di ta përdorë raketahedhësin”, ka thënë ai.

Ngjarja në Banjskë mbetet një nga sulmet më serioze ndaj Policisë së Kosovës dhe dëshmia e Rashitit hedh dritë mbi organizimin dhe shkallën e dhunës së përdorur nga autorët. Versus.al

Poll