Donald Trump tha se i kërkoi Benjamin Netanyahut të pranonte planin e SHBA-së për t'i dhënë fund luftës në Gaza dhe për të liruar pengjet e Hamasit. "Bibi, ky është shansi yt për të fituar ", i tha ai atij, siç zbuloi në një intervistë me Channel 12, duke raportuar se Izraeli dhe Hamasi janë më afër se kurrë një marrëveshjeje.
Presidenti i SHBA-së zbuloi se të premten, përpara thirrjes së tij publike për ndalimin e sulmeve, ai pati një telefonatë me kryeministrin izraelit, gjatë së cilës Netanyahu fillimisht shprehu rezerva, por përfundimisht pranoi të vazhdonte. "I thashë, 'Bibi, ky është shansi yt për të fituar'. Dhe ai ishte dakord me këtë - duhej të ndodhte, nuk kishte zgjidhje tjetër", tha Trump, duke shtuar: "Me mua, duhet të biesh dakord."
Trump tha se Shtetet e Bashkuara ishin afër finalizimit të një marrëveshjeje për lirimin e të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe për t'i dhënë fund luftimeve. "Jemi shumë afër një marrëveshjeje ", tha ai, duke theksuar se "të gjitha vendet e mbështesin planin".
Pas ndërhyrjes së Trump, Netanyahu urdhëroi një pauzë në operacionin për të pushtuar Qytetin e Gazës dhe një ndalim të sulmeve ajrore në mënyrë që të përgatitej "zbatimi i menjëhershëm i fazës së parë të planit Trump".
Në të njëjtën kohë, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, dhe dhëndri i Trump, Jared Kushner , po udhëtojnë për në Egjipt për të diskutuar detajet teknike të lirimit të pengjeve dhe një "plan paqeje të qëndrueshëm".
Trump përmendi gjithashtu Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, duke theksuar se ai ishte "shumë i dobishëm" në presionin ndaj Hamasit për të ecur përpara me marrëveshjen. "Erdogani është i ashpër, por ai është miku im - dhe ka qenë i shkëlqyer", tha ai.
Së fundmi, ai tha se lufta në Gaza e kishte izoluar Izraelin në skenën ndërkombëtare dhe theksoi se një nga qëllimet e tij për t'i dhënë fund luftës ishte të rivendoste statusin ndërkombëtar të Izraelit: "Bibi e teproi dhe Izraeli humbi mbështetjen nga bota. Tani unë do ta kthej të gjithë atë mbështetje", tha Trump.







