Sulmet izraelite në mbarë Rripin e Gazës kanë vrarë të paktën 39 persona, shumica gra dhe fëmijë, tha Ministria e Shëndetësisë në territorin palestinez më 24 prill.
Njëmbëdhjetë persona u vranë kur një sulm ajror goditi një shtëpi në Qytetin e Gazës pasditen e së enjtes, duke rritur numrin e viktimave, pasi paraprakisht autoritetet raportuan për 28 viktima.
Izraeli i dha fund armëpushimit me Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – dhe rinisi luftën e tij ajrore dhe tokësore mbi një muaj më parë.
Izraeli po ashtu që nga fillimi i marsit ka bllokuar furnizimet me ushqim dhe importe të tjera për territorin ku jetojnë 2 milionë palestinezë, me qëllim që t’i bëjë presion Hamasit për lirimin e pengjeve. Hamasi ka thënë se do të lirojë 59 pengjet e mbetura – 24 prej të cilëve besohet se janë gjallë – vetëm në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë, të një armëpushimi afatgjatë dhe në këmbim të tërheqjes së plotë të Izraelit. Në anën tjetër, Izraeli është zotuar se do ta shkatërrojë Hamasin.








