I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme Steve Witkoff tha sot se ai do të udhëtojë në Arabinë Saudite më vonë sot (e diel 16 shkurt) me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të SHBA, Mike Walz për të zhvilluar bisedime me zyrtarët rusë në lidhje me përfundimin e luftës në Ukrainë.
Ky ishte konfirmimi i parë zyrtar i këtyre bisedimeve, pas raportimeve të ditëve të fundit për këtë çështje.
"Unë do të shkoj sonte," tha Witkoff për udhëtimin e tij në një intervistë me Fox News. "Unë do të shkoj atje me këshilltarin e sigurisë kombëtare dhe do të kemi takime nën drejtimin e presidentit dhe shpresojmë se do të bëjmë një përparim vërtet të mirë."
Bisedimet e ardhshme në Arabinë Saudite do të jenë ndër bisedimet e para ballë për ballë të nivelit të lartë ndërmjet zyrtarëve rusë dhe amerikanë në vite. Këto synojnë të përgatisin terrenin për një samit midis Presidentit të SHBA Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin.
Udhëheqësit dhe zyrtarët ukrainas kanë shprehur publikisht zhgënjimin dhe shqetësimin e tyre që administrata Trump i ka përjashtuar ata nga disa negociata me rusët.
Zyrtarët ukrainas thanë se nuk ishin të ftuar në këtë takim në Arabinë Saudite, ndërsa Kievi tha se nuk do të ishte i detyruar të pranonte asnjë marrëveshje që do të dilte nga çdo diskutim në Riad.
Witkov nuk u pajtua se ukrainasit janë përjashtuar nga bisedimet me rusët. Në intervistën e tij me Fox, ai theksoi se zyrtarët ukrainas u takuan me zyrtarë të lartë amerikanë gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih gjatë fundjavës. Megjithatë, ai nuk tha nëse ukrainasit janë ftuar në takimet në Arabinë Saudite.
“Unë nuk mendoj se bëhet fjalë për përjashtimin e askujt”, tha i dërguari special i Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme. “Në realitet, bëhet fjalë për përfshirjen e të gjithëve”, shtoi ai.
Dje, përfaqësuesi republikan Michael McCain tha se Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, Walz dhe Witkoff do të udhëtojnë në Arabinë Saudite për të zhvilluar bisedime paqeje për çështjen e Ukrainës.







