
Pas inaugurimit më 19 shkurt në Uashington, Bordi i Paqes ka hapur faqen zyrtare të internetit, ku janë publikuar 28 shtetet themeluese, mes të cilave Kosova dhe Shqipëria.
Në faqen zyrtare figurojnë gjithashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Arabia Saudite, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Pakistani, Izraeli, Egjipti, Jordania, si dhe vende të tjera nga Evropa, Azia, Afrika dhe Amerika Latine.
Në Kartën e Bordit përcaktohen parimet dhe synimet e organizatës, duke theksuar nevojën për gjykim pragmatik, partneritete të qëndrueshme dhe veprim efektiv për ndërtimin e paqes, veçanërisht në zonat e prekura nga lufta.
Bordi do të funksionojë në përputhje me ligjin ndërkombëtar, duke promovuar stabilitetin, rivendosjen e qeverisjeve të besueshme dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme.
Faqja e Bordit përmban edhe thënien e Donald Trump, i cili e ka cilësuar këtë organizatë si një prej organeve më vepruese të krijuara ndonjëherë.
Ndërkohë, Shqipëria dhe Kosova janë renditur ndër shtetet që do të dërgojnë trupa për Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), ndërsa vendet e tjera do të kontribuojnë financiarisht në Planin e Paqes për Gazën.
Kjo hapje e faqes shënon një hap të rëndësishëm në prezantimin publik të Bordit të Paqes dhe misionit të tij ndërkombëtar për të garantuar paqe dhe stabilitet në zonat e konfliktit./Versus.al

