BOTA /

Cili është ndikimi i Melania Trump në vendimet e bashkëshortit të saj, Donald Trump?

Ndikimi i Zonjës së Parë ishte pas ndryshimeve të Shtëpisë së Bardhë në favor të Kievit.

Shkruar nga Versus
Cili është ndikimi i Melania Trump në vendimet e
Donald dhe Melania Trump

Tani edhe strategët e qeverisë britanike, parashikuesit dhe këshilltarët e Whitehall-it të ngarkuar me parashikimin e vullnetit dhe veprimeve të njeriut më të fuqishëm në botë, janë të bindur se Melania Trump është influencuesja më e madhe tek Donald Trump.

Pikërisht ajo, bashkëshortja e heshtur, ajo që në pesë muajt e parë të presidencës, sipas zërave, kishte kaluar vetëm një natë në Shtëpinë e Bardhë, duke preferuar të qëndronte në Nju Jork dhe të merrej me punët e veta, duke ndjekur djalin e tyre Barron.

Melania, 55 vjeçe, e lindur në Slloveni, e dyta Zonja e Parë katolike në Shtëpinë e Bardhë pas Jacqueline Kennedy dhe ndoshta e vetmja që ka lindur nën një regjim komunist, edhe pse autonom si ai jugosllav, është figura më me ndikim (nëse vërtet ekziston një e tillë) në rrethet e Trump-it, që ka aftësinë të ndikojë, ndoshta vetëm në momente të caktuara dhe në mënyra të ndryshme, tek ai që ajo vetë, shumë vite më parë, me një shprehje disi të pasaktë që i bëri amerikanët të qeshin, e quajti “the Donald”.

Burime anonime brenda qeverisë britanike i thanë gazetës The Guardian se është e vërtetë që mes liderëve botërorë kryeministri Keir Starmer është ai që ka fituar më shumë respekt nga presidenti amerikan, në fund të fundit, «është ajo që ka rëndësi».

Ajo që ka rëndësi është Melania. Gati një muaj më parë ukrainasit e kishin kuptuar dhe e kishin pagëzuar “agjente Trumpenko”, kur “the Donald” i tregoi sekretarit të NATO-s Mark Rutte se pas ndryshimeve të tij në qëndrimin ndaj Vladimir Putinit qëndronte ndikimi i gruas:

“Unë kthehem në shtëpi dhe i tregoj bisedat e mira që pata me liderin rus, dhe Melania i thotë: ‘Vërtet? Por sapo kanë bombarduar një shtëpi pleqsh në Ukrainë...’”. Në ato ditë, mediat kërkuan koment nga ministrja e Jashtme sllovene, Tanja Fajon: “Nuk di sa ndikim ka me të vërtetë Melania tek presidenti, por është bukur të dihet që first lady është në anën e Sllovenisë dhe Ukrainës”.

Sllovenia ishte gjithashtu vendi i parë evropian, në fillim të gushtit, që njoftoi ndalimin e shitjes së armëve për Izraelin për shkak të luftës në Gaza. Për tragjedinë humanitare që po përjeton populli palestinez, në javët e fundit “the Donald” që kishte tronditur botën me idenë e tij për Rivierën e Gazës, të paktën me fjalë ka pranuar se në këtë zonë po vdesin nga uria. Edhe në këtë rast presidenti publikisht përmendi gruan dhe ndjeshmërinë e saj: “Melania nuk është anësore, ajo është pak si unë: do që njerëzit të ndalojnë së vdekuri”. Më 27 korrik, kur Izraeli pretendoi se fotot e urisë ishin “false”, Trump u përgjigj se pamjet nuk mund të ishin të rreme.

Tani, burimi i këtyre zbulimeve për ndikimin politik të Melanias është kryesisht vetë bashkëshorti, i cili mund të ketë interes (edhe elektoral) për të paraqitur një portret familjar ku i jep rëndësi gruas së shtëpisë, duke mbetur brenda ndarjes tradicionale të roleve: mashkulli macho që merret me punët e mëdha dhe gruaja e ndjeshme që mendon për fëmijët që vdesin. Nga ana tjetër, vetë Melania, në fillim të këtij viti gjatë një interviste për Fox & Friends, theksoi pavarësinë e saj: “Kam po dhe jo të miat, nuk jam gjithmonë dakord me burrin. I jap këshillat e mia, herë më dëgjon, herë jo. Dhe kjo është mirë”.

Për vëzhguesit profesionistë, si parashikuesit e qeverisë britanike dhe ekspertët e diplomacive botërore, kjo nuk është aspak mirë. Është e vështirë të monitorosh një çift me mendime të kundërta: “the Donald” që flet shumë dhe “Melania” e padukshme, egocentriku që kërkon vëmendje dhe first lady enigmatike që shmang reflektorët.

Ka shumë sinjale nga bashkëshorti, pothuajse aspak nga gruaja. Në fund, në mungesë informacioni, është e vështirë të kuptohet se çfarë ka në mendje ajo./Marrë nga Corriere

Poll