BOTA /

DASH publikon raportin për klimën e biznesit, ja pikat e dobëta të Shqipërisë

Raporti gjithashtu thekson se një nga pengesat më të mëdha për bizneset është mungesa e transparencës në prokurimet publike, si dhe prania e madhe e ekonomisë informale, që ndihmon në pastrimin e parave, veçanërisht nga burime të paligjshme si trafiku i drogës.

Shkruar nga Versus

DASH publikon raportin për klimën e biznesit, ja pikat e dobëta

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin e tij të radhës për klimën e investimeve në Shqipëri për vitin 2025, duke vlerësuar stabilitetin makroekonomik të vendit, por gjithashtu duke ngritur shqetësime të mëdha për disa nga faktorët që pengojnë zhvillimin e mëtshëm të sektorit privat.

Raporti vlerëson se “situata makroekonomike e Shqipërisë është e qëndrueshme”, duke theksuar se në vitin 2024 ekonomia arriti një rritje prej 4%, një rezultat i nxitur nga zhvillimi i sektorëve të turizmit dhe pasurive të paluajtshme, si dhe politikat e kujdesshme makroekonomike të qeverisë.

Megjithatë, përkundër këtij stabiliteti, raporti ngre shqetësime të shumta që lidhen me ambientin e biznesit në vend. Një prej çështjeve kryesore të theksuara është informaliteti i lartë që mbizotëron në sektorin e biznesit, një fenomen që ka pasoja të rënda për konkurrencën dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Raporti nënvizon se, pavarësisht rritjes ekonomike dhe stabilitetit që ka demonstruar ekonomia shqiptare në vitet e fundit, zhvillimi i saj mbetet i brishtë për shkak të disa faktorëve negativë, si:

- Korrupsioni i përhapur
- Krimi i organizuar
- Konkurrenca e shtrembëruar
- Mungesa e fuqisë punëtore për shkak të emigracionit masiv
- Produktiviteti i ulët
-Sektori i madh informal që vazhdon të funksionojë jashtë ligjit.
Një tjetër problem i theksuar është sistemi i dobët gjyqësor, i cili ndikon drejtpërdrejt në besimin e investitorëve dhe qëndrueshmërinë e mjedisit të biznesit.

Raporti gjithashtu thekson se një nga pengesat më të mëdha për bizneset është mungesa e transparencës në prokurimet publike, si dhe prania e madhe e ekonomisë informale, që ndihmon në pastrimin e parave, veçanërisht nga burime të paligjshme si trafiku i drogës.

Ky raport ofron një pasqyrë të qartë për realitetin e vështirë me të cilin përballen bizneset në Shqipëri, dhe thekson se përmirësimi i klimës së investimeve kërkon adresimin e këtyre problemeve serioze, të cilat pengojnë zhvillimin e një mjedisi të shëndetshëm dhe konkurrues për bizneset e ligjshme.

Në përfundim, raporti bën thirrje për një përpjekje të vazhdueshme për të adresuar këto çështje dhe për të krijuar një mjedis më të favorshëm për investimet, duke vënë theksin në luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e infrastrukturës gjyqësore dhe ligjore në vend.

 

Poll