Për të katërtën herë me radhë ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës, duke lënë të paqartë rrugëtimin institucional të vendit, më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në hapje të seancës, kryesuesi Avni Dehari ftoi Lëvizjen Vetëvendosje të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Deputeti Glauk Konjufca konfirmoi se subjekti i tij politik mbetet i qëndrueshëm në propozimin e Albulena Haxhiut për këtë post. Megjithatë, ai shtoi se për shkak të kundërshtimit të partive të tjera parlamentare ndaj këtij emri, është e nevojshme kohë shtesë për konsultime politike.
Në mungesë të konsensusit, seanca u shty për të mërkurën. Përveç zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, në rend dite ishte parashikuar edhe emërimi i pesë nënkryetarëve – pikë që gjithashtu mbeti e papërfunduar.
Pavarësisht tensioneve politike, seanca përfshiu edhe një moment reflektimi: një minutë heshtje në nderim të Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë sot në moshën 88-vjeçare, duke prekur edhe skenën politike në Kosovë.
Ndërkohë, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mbeten pa një qeveri funksionale, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje duket se po shfrytëzon hapësirën për negociata dhe lëvizje politike në funksion të konstituimit të institucioneve./Versus.al/








