
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, i udhëzoi diplomatët amerikanë në mbarë botën që të mos komentojnë mbi drejtësinë ose integritetin e zgjedhjeve të zhvilluara nga vendet e huaja.
Kjo përbën një largim të fortë nga qasja tradicionale e SHBA për promovimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme jashtë vendit.
Urdhri, i dërguar të gjitha posteve diplomatike të SHBA-së në një kabllogram të brendshëm të Departamentit të Shtetit më 17 korrik, thotë se Departamenti nuk do të lëshojë më deklarata në lidhje me zgjedhjet ose postime në mediat sociale nga Uashingtoni, përveç nëse ka një interes "të qartë dhe bindës" të politikës së jashtme.
"Kur është e përshtatshme të komentojmë për zgjedhje në një shtet të huaj, mesazhi ynë duhet të jetë i shkurtër, i fokusuar në përgëzimin e kandidatit fitues dhe, kur është e përshtatshme, në shënimin e interesave të përbashkëta të politikës së jashtme", thuhej në kabllogram, i cili u shënua si "i ndjeshëm", por jo i klasifikuar.
"Mesazhet duhet të shmangin dhënien e mendimeve mbi drejtësinë ose integritetin e një procesi zgjedhor, legjitimitetin e tij ose vlerat demokratike të vendit në fjalë", thuhej në të.
Ai shtoi se mesazhet në lidhje me zgjedhjet duhet të vijnë ose nga vetë Sekretari ose nga zëdhënësi i Departamentit dhe u ndaloi diplomatëve amerikanë të lëshonin deklarata të tilla pa miratimin e qartë nga udhëheqja e lartë e agjencisë.
Një qasje e tillë vihet re shumë qartë në Shqipëri ku tashmë po bëhet një kohë e gjatë që nuk ka një ambasador amerikan dhe nuk ka patur qëndrime të caktuara nga ambasada e SHBA në Tiranë lidhur me zgjedhjet e zhvilluara më 11 maj duke konfirmuar politikën e re të ndjekur nga administrata e re e SHBA. Versus.al







