Vatikani po përjeton një tjetër ditë vendimtare, ndërsa Konklava për zgjedhjen e Papës së 267-të në histori ka hyrë në ditën e saj të dytë. Kardinalët zgjedhës janë mbledhur sërish në Kapelën Sistine për votimet e radhës, ndërsa besimtarët mbeten në pritje të sinjalit që do të shpallë nëse është zgjedhur Papa i ri.
Mëngjesin e sotëm, rreth orës 11:51, nga oxhaku i Kapelës Sistine është ngritur tymi i dytë i zi, konfirmim se as në votimin e tretë nuk është arritur shumica e nevojshme për zgjedhjen e Papës. Edhe një ditë më parë, pas më shumë se tre orësh diskutimesh dhe votimesh, sinjali i parë i zi tregoi se askush nuk kishte siguruar mbështetjen e 2/3 së trupës zgjedhëse.
Aktualisht, 133 kardinalë janë të mbyllur në Kapelën Sistine dhe do të zhvillojnë edhe dy votime të tjera këtë pasdite – të katërtin dhe të pestin – të cilat mund të jenë vendimtare. Në rast se njëri prej kandidatëve merr shumicën e kërkuar, tymi i bardhë mund të ngrihet rreth orës 17:00. Në të kundërt, një tjetër sinjal – i bardhë ose i zi – pritet të dalë nga oxhaku në orën 19:00.
Ndërkohë, në Sheshin e Shën Pjetrit, mbi 12 mijë besimtarë kanë ndjekur me vëmendje zhvillimet, me sytë nga oxhaku që bart me vete një nga momentet më simbolike të jetës së Kishës Katolike. /Versus.al/








