
Jo vetëm Lindja e Mesme, por mbarë globi ndodhet në një gjendje alarmi pas sulmit të koordinuar ajror të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj objekteve bërthamore në territorin iranian.
Tensionet janë rritur ndjeshëm, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po pret me shqetësim lëvizjen e radhës nga ana e Iranit.
Në reagimin e tij zyrtar, misioni i përhershëm i Iranit pranë Kombeve të Bashkuara ka dorëzuar një letër urgjente në Këshillin e Sigurimit.
Në dokument, Irani dënon ashpër atë që e cilëson si një “sulm të paligjshëm dhe të pamatur” nga SHBA ndaj infrastrukturës së tij bërthamore, duke e konsideruar një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe një rrezik të madh për sigurinë globale.
“Në dritën e pasojave të rënda dhe të gjera të veprimeve të egra dhe kriminale të Shteteve të Bashkuara për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, Republika Islamike e Iranit i kërkon urgjentisht Këshillit të Sigurimit të thërrasë një takim urgjent pa vonesë për të adresuar këtë akt të hapur dhe të paligjshëm agresioni, për ta dënuar atë në termat më të forta të mundshme dhe për të marrë të gjitha masat e nevojshme sipas përgjegjësive të saj të përcaktuara nga Karta që autori i krimeve të tilla të urryera të mbahet plotësisht përgjegjës dhe të mos mbetet i pandëshkuar”, - thuhet në deklaratë.







