BOTA /

E rëndë: Sulm në një kishë në Damask, të paktën 25 të vrarë

Sipas burimeve ndërkombëtare, të paktën 25 persona kanë humbur jetën, ndërsa numri i të plagosurve mbetet ende i paqartë. Në momentin e shpërthimit, kisha ishte e mbushur me besimtarë që po merrnin pjesë në një ceremoni fetare.

Shkruar nga Versus

 

E rëndë: Sulm në një kishë në Damask, të

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur kryeqytetin sirian, Damask, këtë të enjte, pasi një sulmues vetëvrasës hodhi veten në erë brenda kishës Mar Elias, në lagjen Dwelah, një zonë e banuar kryesisht nga të krishterë.

Sipas burimeve ndërkombëtare, të paktën 25 persona kanë humbur jetën, ndërsa numri i të plagosurve mbetet ende i paqartë. Në momentin e shpërthimit, kisha ishte e mbushur me besimtarë që po merrnin pjesë në një ceremoni fetare.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë dëme të mëdha materiale dhe skena rrëqethëse. Forcat siriane të sigurisë dhe ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje, ndërsa zona u izolua për hetime të mëtejshme.

Ky është një nga sulmet më të rënda ndaj komunitetit të krishterë në Siri në vitet e fundit. Lagjja Dwelah, e njohur për bashkëjetesën ndërfetare dhe një nga zonat më të sigurta të Damaskut, rrallëherë ka qenë objektiv i sulmeve, çka e bën këtë ngjarje edhe më alarmante për stabilitetin lokal.

Deri më tani, asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Zyrtarë të qeverisë siriane kanë dënuar ngjarjen si “akt terrorist të papranueshëm ndaj civilëve të pafajshëm”.

Komuniteti ndërkombëtar dhe organizatat humanitare kanë reaguar menjëherë, duke dënuar ashpër aktin e dhunës dhe duke bërë thirrje për mbrojtjen e vendeve të kultit dhe të minoriteteve fetare në zonat e konfliktit.Hetimet janë në vazhdim për të identifikuar autorët dhe motivet e sulmit. /Versus.al

Tags:

sulm damask

Poll