Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, përshëndeti reagimin pozitiv të Hamasit ndaj marrëveshjes së paqes të propozuar nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duke e parë atë si një tregues se grupi islamist palestinez është "gati për paqe". "Hamasi ka treguar, siç ka bërë shumë herë më parë, se është gati për paqe. Një dritare mundësie është hapur për paqe të qëndrueshme në rajonin tonë", tha Erdogan gjatë një ceremonie në Stamboll.
Në të njëjtën ceremoni, ai iu referua bisedës telefonike që pati dje, të premten, me presidentin amerikan, gjatë së cilës u përmend çështja e Gazës.
"Është me rëndësi të madhe që Izraeli të ndalojë menjëherë sulmet e tij. Shpresat e reja për paqe nuk duhet të lejohen të zbehen. Nëse të gjitha palët veprojnë me përgjegjësi, është e mundur të ndalet gjakderdhja dhe të arrihet paqja", theksoi ai në lidhje me bisedën që pati.
Ai shtoi gjithashtu se "Turqia do të vazhdojë të bëjë gjithçka që është e nevojshme në mënyrë që të mos humbasin më jetë të pafajshme dhe fëmijët e Gazës të mund të buzëqeshin përsëri".







