
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje i ka dërguar një letër kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku duke e ftuar këtë të fundit për konsultime para konstituimit të parlamentit.
“Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në një takim të mërkurën, më 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, më 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00”, thuhet në letrën e siguruar nga mediat vendase.
Në kuadër të përpjekjeve për të formuar qeverinë, Kurti është takuar javën e kaluar edhe me kryetarin e Nismës Socialdemokrate Fatmir Limajn, por ende nuk ka asgjë të konfirmuar. Seanca e konstituimit të Kuvendit do të mbahet më 15 prill.
Çfarë ndodh në seancën konstituive?
Seanca konstituive përgatitet nga kryetari i legjislaturës së mëparshme, i cili pesë ditë para mbajtjes së seancës duhet të thërrasë në mbledhje kryetarët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, për të përgatitur një rend dite.
Rendi i ditës duhet të përfshijë formimin e një komisioni të përkohshëm që bën verifikimin e kuorumit dhe mandateve, betimin e deputetëve të rinj, zgjedhjen e kryetarit të kuvendit dhe nënkryetarëve, votimin e raportit të komisionit të lartpërmendur dhe përcaktimin e vendeve të deputetëve në sallë, sipas fuqisë politike. Seanca konstituive kryesohet nga deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë. Ligjet nuk parashohin që gjatë seancës nuk mund të ketë debat.
Në këtë seancë deputetët bëjnë betimin – ata që mungojnë mund ta bëjnë në seancën pasuese – dhe partia e parë, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, propozon kandidatin për kryetar të Kuvendit. Nënkryetarët, ndërkaq, propozohen nga një nga partitë më të mëdha dhe nga komunitetet joshumicë dhe komuniteti serb. Seanca konstituive, sipas Rregullores së Kuvendit, përfundon me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.
Sipas rezultateve, në përbërjen e re parlamentare Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 48 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 24, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, Lista Serbe 9 dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate tetë vende. Versus.al








