Një 20-vjeçar nga Staten Island, Alvi Limani, është arrestuar në Florida pasi ishte arratisur nga New Jersey pas një aksidenti të rëndë me pasoja fatale që ndodhi më 29 qershor në Garden State Parkway, afër kryqëzimit me New Jersey Turnpike.
Aksidenti ka shkaktuar vdekjen e të riut shqiptar Albion Hysenaj, 20 vjeç, dhe plagosjen e rëndë të një 21-vjeçari tjetër, gjithashtu nga Staten Island.
Sipas autoriteteve, Limani ndodhej në drejtimin e një BMW X3 SUV, i cili ishte përfshirë në një garë të paligjshme në autostradë me një tjetër automjet, një BMW M5, që drejtohej nga Jeter Ogando, 23 vjeç, nga Perth Amboy.
Gjatë garës, BMW X3 ka goditur dy automjete të tjera, duke u përmbysur disa herë. Si pasojë e përplasjes, Hysenaj dhe një tjetër pasagjer u hedhën jashtë mjetit – Hysenaj ndërroi jetë më vonë në spitalin Robert Wood Johnson University Medical Center.
Pas aksidentit, Alvi Limani dhe një tjetër pasagjere në mjetin e tij, Emily Harrington, 19 vjeçe, u larguan nga vendngjarja në këmbë. Autoritetet raportojnë se Limani u arratis drejt Miamit, Florida, ku planifikonte të largohej nga SHBA së bashku me nënën e tij, Vilma Vneshta, 42 vjeçe. Të dy u arrestuan më 17 korrik dhe janë në pritje të ekstradimit drejt New Jersey-t.
Alvi Limani përballet me një listë të gjatë akuzash të rënda, përfshirë:
Vrasje me dashje (gradë e parë)
Vrasje në aksident rrugor (gradë e dytë)
Braktisje e vendit të aksidentit me pasojë vdekjen (gradë e dytë)
Shkaktim i vdekjes gjatë drejtimit pa leje (gradë e tretë)
Rrezikim të viktimave të plagosura dhe personave të tjerë (shtatë akuza në total)
Falsifikim dokumentesh
Pengim i drejtësisë
Sulm me automjet
Drejtim automjeti me pasoja të rënda duke qenë pa patentë
Ndërsa e ëma e tij Vilma Vneshta, 42 vjeçe akuzohet për: Pengim të drejtësisë (gradë e tretë)







