BOTA /

Përplasje e fortë mes Trump dhe Netanyahut për krizën humanitare në Gaza: Mos guxo të thuash që s'ka uri!

Presidenti amerikan reagoi ashpër ndaj pretendimeve të kryeministrit izraelit se nuk ka krizë humanitare - pala e Netanyahut e mohon incidentin.

Shkruar nga Versus
Përplasje e fortë mes Trump dhe Netanyahut për krizën
Benjanim Netanyahu/ Donald Trump

Një bisedë telefonike e tensionuar mes ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ka zbuluar përçarjen në rritje mes dy aleatëve tradicionalë.

Sipas një raportimi të NBC News, biseda ndodhi më 28 korrik dhe u shënua nga ngritje zëri dhe ndërprerje të ashpra nga ana e Trump, pas deklaratave të Netanyahut se “nuk ka uri në Gaza”.

Burime të ndryshme përfshirë një zyrtar të lartë amerikan, dy ish-zyrtarë të SHBA-së dhe një diplomat perëndimor konfirmojnë se përplasja u nxit nga deklaratat publike të Netanyahut në Jeruzalem, ku ai këmbënguli se “nuk ka politikë urie në Gaza” dhe se “kriza është propagandë e Hamasit”.

Trump, i cili kishte komentuar më herët për gazetarët se kishte parë pamje të fëmijëve të uritur në Gaza, ishte i prerë në telefonatën me kryeministrin izraelit. “Nuk dua të dëgjoj më që uria është trillim”, thuhet se i ka thënë Trump me zë të lartë, duke theksuar se kishte prova nga bashkëpunëtorët e tij për situatën e rëndë humanitare në territorin palestinez.

Nga ana e tij, zyra e Netanyahut ka mohuar kategorikisht që një përplasje e tillë ka ndodhur, duke e cilësuar raportimin si “lajm tërësisht të rremë”.

“Pretendimi për një konfrontim verbal mes kryeministrit Netanyahu dhe presidentit Trump është absolutisht i pavërtetë”, thuhet në reagimin zyrtar.

Megjithatë, një ish-zyrtar amerikan që kishte dijeni për telefonatën, tha për NBC se biseda ishte “njëanëshe” dhe se Trump dominonte, duke folur gati gjatë gjithë kohës dhe duke kritikuar situatën e shpërndarjes së ndihmës humanitare në Gaza.

Telefonata vjen në një kohë kur Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar për një uri të afërt në Gaza, ndërsa organizatat humanitare raportojnë se shumë familje jetojnë vetëm me bukë dhe ujë. Pamjet dhe videot që qarkullojnë online mbështesin akuzat për urinë masive në territor.

Pavarësisht presionit ndërkombëtar, Netanyahu vijon të mohojë kufizimet e ushqimeve nga Izraeli dhe fajëson Hamasin për manipulim të opinionit publik. Menjëherë pas bisedës së tensionuar me Trump, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Whitkoff, zhvilloi një vizitë në rajon për të koordinuar më mirë ndihmën humanitare./Versus.al

Poll