BOTA /

Gaza në alarm: Izraeli urdhëron banorët të largohen nga Rafah dhe Khan Younis

Sipas ushtrisë izraelite, ky veprim është marrë për të shmangur viktimat civile, pasi planifikohet një ofensivë kundër grupeve militante palestineze që, sipas Tel Avivit, vijojnë të hedhin raketa nga këto zona.

Shkruar nga Versus

Gaza në alarm: Izraeli urdhëron banorët të largohen nga

Izraeli ka urdhëruar një evakuim masiv të banorëve nga shumica e zonave në jug të Rripit të Gazës, përfshirë qytetet e mëdha Rafah dhe Khan Younis, në kuadër të një fushate të re ushtarake që konsiderohet si një nga më të ashpërit deri më tani. Ky urdhër është bërë publik në gjuhën arabe nga ushtria izraelite, dhe shoqërohet me një hartë të detajuar, ku përjashtohen vetëm zonat e Al-Mawasi, e cilësuar si zonë humanitare.

Sipas ushtrisë izraelite, ky veprim është marrë për të shmangur viktimat civile, pasi planifikohet një ofensivë kundër grupeve militante palestineze që, sipas Tel Avivit, vijojnë të hedhin raketa nga këto zona.

“Militantët vazhduan të sulmonin me raketa nga zonat e prekura nga urdhri i evakuimit,” deklaroi ushtria izraelite, duke nënvizuar se bombardime nga jugu i Gazës janë regjistruar që në orët e para të mëngjesit.

Pavarësisht thirrjes për largim, shumë banorë janë larguar me nxitim, ndërsa raportimet nga terreni tregojnë për viktima të shumta në Khan Younis, një qytet që tani cilësohet si “zonë e rrezikshme luftimi”.

Në këtë kuadër, dy spitale në Khan Younis, Nasser dhe Al-Amal, janë përjashtuar nga urdhri i evakuimit, duke vijuar të funksionojnë për të trajtuar të plagosurit dhe të sëmurët, megjithëse në kushte jashtëzakonisht të vështira.

Ky zhvillim vjen në një moment kur tensionet mes Izraelit dhe Hamasit kanë arritur nivele të reja, ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar shpreh shqetësim të thellë për përkeqësimin e krizës humanitare në Gazë. Organizatat ndërkombëtare të ndihmës kanë theksuar se zhvendosja masive e civilëve nën rrezik, pa garanci të sigurisë dhe strehimit të duhur, përbën shkelje të mundshme të së drejtës ndërkombëtare humanitare. /Versus.al/

Poll